Vetëm 240 prona të inspektuara nga Komuna Obiliqit apo vetëm rreth 4%

Nga 6,428 prona sa ka të regjistruara Komuna e Obiliqit, arriti të inspektoj vetëm 240 sosh, apo 3.7 për qind. Përkundër se me kërkesa ligjore, lypëset verifikimi i 20 për qind e tyre, apo shprehur në numra në këtë rast 1,285 sosh.

E gjetura e raportit të Auditorit, tregon se Komuna arriti të inspektoj vetëm 3.7 për qind të pronave.

“Komuna nuk ka bërë inspektimin e 20% të pronave të regjistruara, ku prej 6,428 pronave, gjatë vitit 2020 ka bërë inspektimin e vetëm 240 pronave, ose vetëm 3.7% të verifikimet të pronave”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Sipas deklarimeve të zyrtarëve komunal, raporti përmend se ka qenë situata pandemike që është përcjellë me staf të reduktuar dhe mungesa e veturave zyrtare, për t’i inspektuar pronat sipas kërkesës ligjore.

Situata pandemike, me staf të reduktuar dhe mungesë të veturave zyrtare, ishin shkaktarët sipas deklarimeve të zyrtarëve komunal para auditorit.

Auditori konstaton se e gjitha kjo ndikon në vlerësimin e tatimit në pronë, prandaj kreut të komunës i’u rekomandua të sigurohet që verifikohen 20 për qind e pronave të paluajtshme siç kërkohet.

“Kryetari duhet të sigurojë arritjen e verifikimit të 20% të pronave të paluajtshme, në mënyrë që ndryshimet eventuale të pronave të integrohen në bazën e të dhënave mbi pronën për të reflektuar detyrimin e saktë tatimor”, thuhet në rekomandim.

Të gjeturën auditori e bazon në nenin 15 të Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, ku Komuna çdo vit duhet të kryejë veprime të inspektimit (verifikimit) për të paktën 20 për qind të gjitha pronave brenda territorit të saj.

Përmes letër konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kryetari  i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, konfirmoi se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2020 të Komunës së Obiliqit.