Veseli: Jam i tronditur nga informacionet e rreme të Kurtit për bisedën me Grenell

Lidhur me debatin që ka shpërthyer rreth bisedës telefonike mes të dërguarit të presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Në një postim në Twitter, Veseli është shprehur i tronditur nga informacionet e rreme që sipas tij po i jep kryeministri Kurti rreth qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara.

“Jam i tronditur që Kryeministri i Kosovës po jep informacion të rremë për seriozitetin e synimeve të ShBA-së. PDK vlerëson punën e ambasadorit Richard Grenell për të arritur një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë dhe për angazhimin e Shteteve të Bashkuara për paqen në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Veseli.

Ky koment i kryetarit të PDK-së erdhi pasi ambasadori Richard Grenell tha se nuk janë të vërteta deklaratat e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës rreth përmbajtjes së bisedës telefonike të zhvilluar me Kurtin të martën.

https://kallxo.com/lajm/grenell-demanton-keshilltarin-e-kryeministrit-per-biseden-me-kurtin/

Erzen Vraniqi, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se shefi i Qeverisë ka zhvilluar biseda telefonike të martën me të dërguarin e posaçëm të presidentit Trump, Richard Grenell dhe me këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien.

Sipas Vraniqit, gjatë kësaj bisede as Grenell as O’Brien nuk kanë deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të tërheqin trupat nga Kosova apo se do të ndalin ndihmat ekonomike për Kosovën.

“Gjatë bisedës së djeshme telefonike të Kryeministrit Kurti me Ambasadorin O’Brien dhe Ambasadorin Grenell ata nuk kanë deklaruar se do t’i tërheqin trupat ushtarake amerikane nga Kosova dhe se do ta ndalin në ndonjë fushë ndihmën ekonomike për vendin tonë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura ta rrisin zhvillimin ekonomik e ta forcojnë sigurinë në rajon. Në fund të bisedës, të dyja palët janë pajtuar që ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin”, ka shkruar Vraniqi në rrjetin social Facebook.