Grenell demanton këshilltarin e kryeministrit për bisedën me Kurtin

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar rreth bisedës telefonike që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Grenell ka thënë se nuk është e vërtetë përmbajtja e bisedës çfarë është interpretuar nga këshilltari i kryeministrit, Erzen Vraniqi.

Dje, Vraniqi ka thënë se në këtë bisedë zyrtarët e lartë amerikanë, Richard Grenell e Robert O’Brian nuk kanë deklaruar se do t’i tërheqin trupat ushtarake amerikane nga Kosova apo se do ta ndalin në ndonjë fushë ndihmën ekonomike për Kosovën.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ne ia kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifat madje edhe pjesërisht po e dëmtonin ekonominë e Kosovës – dhe se ShBA nuk do të çojë dëm ndihmat tona nëse liderët e Kosovës dëmtojnë popullin e tyre në këtë mënyrë”, i është përgjigjur në Twitter Richard Grenell gazetarit Berat Buzhala, i cili e ka pyetur atë nëse janë të vërteta deklaratat e këshilltarit të kryeministrit.

Erzen Vraniqi, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se shefi i Qeverisë ka zhvilluar biseda telefonike të martën me të dërguarin e posaçëm të presidentit Trump, Richard Grenell dhe me këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien.

Sipas Vraniqit, gjatë kësaj bisede as Grenell as O’Brien nuk kanë deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të tërheqin trupat nga Kosova apo se do të ndalin ndihmat ekonomike për Kosovën.

“Gjatë bisedës së djeshme telefonike të Kryeministrit Kurti me Ambasadorin O’Brien dhe Ambasadorin Grenell ata nuk kanë deklaruar se do t’i tërheqin trupat ushtarake amerikane nga Kosova dhe se do ta ndalin në ndonjë fushë ndihmën ekonomike për vendin tonë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura ta rrisin zhvillimin ekonomik e ta forcojnë sigurinë në rajon. Në fund të bisedës, të dyja palët janë pajtuar që ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin”, ka shkruar Vraniqi në rrjetin social Facebook.

Çfarë i thanë Albin Kurtit Richard Grenell e Robert O’Brian për praninë ushtarake amerikane?

www.kallxo.com