Vërshimet e fundit dëmtuan shumë kultura bujqësore

Lavdim Zabeli, kultivues i perimeve në Skenderaj, në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar se serrën e perimeve e kanë të vendosur afër lumit dhe nga vërshimet e 19 janarit është dëmtuar komplet.

“Kemi kultivuar sallatë të gjelbër, spinaq dhe të gjitha janë dëmtuar. Kemi pasur dëme edhe në mbushjen e moduleve. Ndonëse komuna kishte intervenuar në rregullimin e shtratit të lumit, ai ka shumë devijime” – ka thënë Zabeli.

Dëmet në aspektin financiar ai tha se ende nuk i di saktë.

“Vetëm të mbjella kemi pasur diku rreth 10 mijë euro produkte. Sallatë të gjelbër kemi pasur të mbjellë afër 7 mijë fidanë të cilat edhe dy javë do të ishin të gatshme për treg, spinaq rreth 3 mijë kg, ku përafërsisht çmimi për kg varion nga 1.5 deri në 2 euro” – ka shtuar Zabeli.

Ai ka shtuar se edhe para dy vjetëve kishte pësuar dëme nga breshri, në vlerë diku 24 mijë euro. Ndonëse Ministria e ka bërë vlerësimin ata janë kompensuar vetëm 3 mijë e 800 euro.

Zabeli i ka bërë thirrje Qeverisë që nëse e kanë në plan t’u dalin në ndihmë të prekurve nga vërshimet le ta bëjnë tash sepse nuk do të kenë mundësi të fillojnë me të mbjella në pranverë.

Qeveria në fund të vitit të kaluar ka ndarë mbi 2.8 milionë euro për të mbuluar dëmet në bujqësi për shkak të reshjeve të shiut.

Kjo ndarje kishte përfshirë kompensimin për periudhën janar – nëntor 2022.