Barrikada në Rudarë - Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Veriu i Mitrovicës ende i bllokuar - Pamje

Dy rrugë për të hyrë në Mitrovicën e Veriut ende janë të bllokuara nga barrikadat që u vendosën të martën.

Ndonëse largimi i barrikadave është premtuar që të fillojë sot në mëngjes, diçka e tillë nuk është parë ende.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova që e mbajti mbrëmë në Rashkë, tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.

“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat” – ishte shprehur Vuçiq pak para se të bëhej mesnatë.

KALLXO.com është duke qëndruar në veri të vendit ku është parë se barrikadat nuk janë lëvizur ende.

Kamionët që bllokuan lidhjen në mes Lagjes së Boshnjakëve me qytetin e veriut të Mitrovicës u panë se ende janë aty.

E gjendja është e njëjtë edhe tek Dudi i Kërrshit.

Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, zhvilloi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.

Ai tha paraprakisht, se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

Në takim, presidenti serb tha se Dejan Pantiqi ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.

Arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës po mbajnë që nga 10 dhjetori.

Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.