Ilustrim, Foto: Pixabay

Vdes një i burgosur në Prishtinë

Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve ka njoftuar se një i burgosur në mëngjesin e sotëm ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

SHKK ka thënë se viktima është pranuar në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë më 17.05.2024 dhe gjatë pranimit është konstatuar se vuante nga sëmundje kronike për të cilat ka qenë nën trajtim.

“Trajtimi ka vazhduar edhe gjatë kohës së paraburgimit nga mjekët, specialistët konsultantë dhe institucionet e tjera, sipas indikacioneve”- thuhet në njoftim.

Tutje i tregua se gjendja shëndetësore e viktimës është përkeqësuar mbrëmë, më 11.06.2024, në 22:00h.

Për të njëjtin Shërbimi Korrektues tha se është thirrur emergjenca e qytetit, e cila e ka trajtuar dhe stabilizuar gjendjen e të burgosurit.

“Në mëngjes, gjendja e tij është përkeqësuar përsëri dhe është kërkuar mbështetje nga ekipi i emergjencës së qytetit. Ky ekip, së bashku me ekipin mjekësor të burgut, janë përpjekur për reanimim, por pa sukses. Në orën 06:18, nga të dy ekipet është konstatuar vdekja e të burgosurit”- tha Shërbimi Korrektues.

Tutje u tha se organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa bazuar në ligjet në fuqi, autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes.