Seanca per caktimin e mases se sigurise-Foto: KALLXO.com

Vdekja e 18-vjeçarit në Prizren, si rrëshqitën pllakat e qeramikës dhe i ranë në kokë?

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar paraburgim për gjashtë të dyshuarit, të cilët janë pronarë dhe punëtorë të tri kompanive, në lidhje me rastin e vdekjes së një personi si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës.

Një 18-vjeçar po dyshohet se më 30 shtator të këtij viti, pasi kishte shkuar në vendin e punës për të marrë material ndërtimi, të njëjtit i kishin rrëshqitur disa pllaka qeramike dhe kanë rënë mbi kokën e të ndjerit A. K. Si rezultat i plagëve të marra, i njëjti humbi jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, se janë bartur pllakat-qeramikat nga pjesa e brendshme e ndërtesës dhe janë vendosur në ballkonin e katit të dytë të ndërtesës. Këto pllaka më pas kanë rrëshqitur dhe i kanë rënë në kokë 18-vjeçarit.

Prokurori Ramadan Koro deklaroi se janë përmbushur të gjitha kriteret ligjore për kërkesën e paraburgimit. Prokuroria argumentoi se dyshohet se të pandehurit kanë kryer veprën penale të asgjësimit, dëmtimit, ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe kanë rrezikuar sigurinë në vendin e punës.

Më tej, prokurori Koro theksoi se të dyshuarit kanë mundur të ndikojnë në dëshmitarë, pasi ata kanë lidhje familjare me të pandehurit që kanë punuar në të njëjtin vend të punës.

Prokuroria argumentoi gjithashtu se kjo vepër penale ka pasur pasoja të rënda, përfshirë vdekjen e të ndjerit A.K. për shkak të mos-respektimit të detyrave të sigurisë nga të pandehurit.

Të pandehurit Namik Gashi, Drilon Krasniqi, Armend Thaçi, Canë Krasniqi, Hilmi Krasniqi dhe Skender Krasniqi kundërshtuan kërkesën e paraburgimit, dhe avokatët e tyre, Blerim Mazreku, Bekim Parallangaj, Hasan Biraj, Drenusha Berisha, Erzana Shehu-Mazrek dhe Leonita Qevani, kërkuan që të caktohet një masë alternative më të butë.

Avokati Blerim Mazreku, i cili përfaqëson të pandehurin Namik Gashi, argumentoi se pllakat qeramike janë zhvendosur nga persona të tjerë dhe jo nga të pandehurit. Ai theksoi se nga video-incizimet duket qartë se pllakat janë zhvendosur nga punëtorë të tjerë që nuk janë pjesë e firmës së të pandehurit.

“Nga video-incizimet shihet qartë se pasi janë vendosur pllakat e qeramikës të njëjtat largohen nga punëtorët e tjerë të cilët nuk punojnë në firmën e të mbrojturit tim. Video-incizimin në fjalë ia dorëzoi gjykatës dhe prokurorisë meqenëse deri më tani nuk e kanë parë ngase nuk do ta paraqitnin kërkesën për paraburgim për të mbrojturin tim”-ka thënë mes tjerash avokati Mazreku.

Në lidhje më kërkesën për masën e sigurisë, gjykatësja e çështjes, Vjollca Buxhala, do të marrë vendim të veçantë.

Sipas kërkesës së Prokurorisë që KALLXO.com ka siguruar Namik Gashi, më 29 shtator 2023, në mes të orës 08:00 dhe 09:00, në Prizren, në vend punishten “Lirimi 1” i pandehuri si përgjegjës-pronar për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk i mirëmban ato në gjendje të rregullt për punë, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme apo nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve ku rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave.

Sipas Prokurorisë i pandehuri si pronar i firmës “Namik'”, nën përgjegjësinë e tij, nga punëtorët e firmës, pllakat-qeramikat vendosen në ballkonin e ndërtesës së katit të dytë, ku me dt.30 shtator 2023, të njëjtat pllaka-qeramika nga kati i dytë rrëshqasin dhe i bien në kokë të ndjerit A. K., i cili kishte shkuar në vend punishte për furnizim me material ndërtimor.

Me këto veprime kishte për të kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës nga neni 358 par. 7 lidhur me par. 2 të KP-së.

Të pandehurit Drilon Krasniqi dhe Armend Thaçi me datë, kohë dhe vend të njëjtë, si punëtorë të firmës “Namik” nuk veprojnë me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës.

Në kërkesë thuhet se të pandehurit i bartin pllakat-qeramikat nga pjesa e brendshme e ndërtesës dhe i vendosin në ballkonin e katit të dytë të ndërtesës, ku me dt.30 shtator 2023, të njëjtat pllaka qeramike nga kati i dytë rrëshqasin dhe i bien në kokë të ndjerit A.K., i cili kishte shkuar në vend punishte për furnizim me material ndërtimor.

Me këto veprime kishin për të kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës nga neni 358 par. 7 lidhur me par. 2 të KP-së.

I pandehuri Canë Krasniqi me datë 30 shtator 2023, rreth orës 09:15, në Prizren, në vendpunishten “Lirimi 1” si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës dhe i cili nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk i mirëmban ato në gjendje të rregullt për punë, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme apo nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës.

Në atë mënyrë që i pandehuri si pronar i firmës “Sacolor”, nën përgjegjësinë e tij, nga punëtorët e firmës, pllakat-qeramikat që ishin vendosur një ditë më përpara në ballkon zhvendosen nga ajo pjesë e ballkonit dhe vendosen në pjesën tjetër të ballkonit të katit të dytë të ndërtesës, ku të njëjtat pllaka-qeramika nga kati i dytë rrëshqasin dhe i bien në kokë të ndjerit A. K., i cili kishte shkuar në vendpunishte për furnizim me material ndërtimor dhe si pasojë e lëndimeve të marra i njëjti ndërron jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Me këto veprime kishte për të kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës nga neni 358 par. 7 lidhur me par. 2 të KP-së.

I pandehuri Hilmi Krasniqi dhe Skender Krasniqi si punëtorë të firmës “Sacolor” nuk veprojnë në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës.

Në atë mënyrë që i zhvendosin pllakat-qeramikat që ishin vendosur një ditë më përpara në ballkon nga njëra pjesë e ballkonit në pjesën tjetër të ballkonit të katit të dytë të ndërtesës, ku të njëjtat pllaka-qeramika nga kati i dytë rëshqasin dhe i bien në kokë të ndjerit A. K., cili kishte shkuar në vendpunishte për furnizim me material ndërtimor dhe si pasojë e lëndimeve të marra i njëjti ndërron jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Me këto veprime kishin për të kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës nga neni 358 par. 7 lidhur me par. 2 të KP-së.