Varroset Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku

Me nderime të larta shtetërore në fshatin e tij të lindjes, në Samadrexhë të Vushtrrisë, është varrosur rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, i cili u vra dje në orët e para të mëngjesit në një sulm të një grupi terrorist.

Në ceremoni morën pjesë personalitete të larta shtetërore, ambasadorë të vendeve të huaja, ministra nga Shqipëria e shumë qytetarë.

Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Foto: KALLXO.com

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.