Ushtria amerikane: Nevojitet miratimi i Kongresit për financimin e furnizimit me municione të Ukrainës dhe Izraelit

Ushtria amerikane ka thënë se Kongresi duhej të miratojë shpejt fonde shtesë për të siguruar që planet e prodhimit dhe blerjes së municioneve të Pentagonit mund t’i plotësojnë nevojat e Izraelit dhe Ukrainës njëkohësisht.

Sekretarja e Ushtrisë, Christine Wormuth, i bëri këto komente pasi Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së është në fakt e paralizuar ndërkohë që republikanët po punojnë për të zgjedhur një kryetar të ri.

Në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, theksoi se qeveria amerikane ka fonde ekzistuese për ta mbështetur Izraelin për momentin.

“Nëse na duhet – dhe është një ‘nëse’, por – nëse na duhet të kthehemi në Capitol Hill për mbështetje financiare shtesë për Izraelin, ne do ta bëjmë absolutisht këtë”, ka thënë Kirby.

“Ne jemi një vend mjaft i madh, mjaftueshëm i madh, ekonomikisht i qëndrueshëm dhe mjaft i gjallë për të qenë në gjendje të mbështesim si [Izraelin dhe Ukrainën]”.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vijim:

“Ishte në interesin e Rusisë ta nxiste luftën në Lindjen e Mesme “për të krijuar një burim të ri dhimbjeje dhe vuajtjeje që do ta dobësonte unitetin global, do të krijonte ndarje dhe do të ndihmonte Rusinë në minimin e lirisë në Evropë”, ka thënë Zelenskiy në video adresimin e tij të natës duke shtuar se propagandistët rusë po  “gëzohen” nga zhvillimet në Izrael.

Familjet e pikëlluara kanë filluar t’i varrosin të dashurit e tyre në fshatin Hroza të Ukrainës lindore, i cili ishte shënjestër e raketave ruse në një sulm që vrau më shumë se 50 njerëz javën e kaluar.

Rreth 30 varre tashmë janë gërmuar për t’u varrosur në varrezat e fshatit të vogël, i cili tani numëron rreth 330 banorë, nga 500 sa ishin kur filloi konflikti.

Zyrtarja e lartë tregtare e OKB-së Rebeca Grynspan u takua me zyrtarë rusë në Moskë të hënën për bisedime që synojnë ta mundësojnë “qasjen e papenguar” në tregjet globale për drithërat dhe plehrat nga Rusia dhe Ukraina, ka thënë një zëdhënës i OKB-së.

Zelenskiy do ta vizitojë Rumaninë fqinje të martën, udhëtimi i tij i parë në vendin anëtar të NATO-s që kur Rusia e pushtoi Ukrainën shkurtin e vitit të kaluar, thuhet në një njoftim nga presidenca rumune.

Ligjvënësve rusë u janë dhënë 10 ditë kohë për të studiuar mundësinë e revokimit të ratifikimit të Moskës të një traktati që i ndalon testet bërthamore, thuhet në një  deklaratë nga Duma e Shtetit, dhoma e ulët e parlamentit. Komiteti i çështjeve ndërkombëtare të dhomës do të duhet ta përfundojë punën e tij deri më 18 tetor, thuhet në deklaratë.

Zelenskiy ka zëvendësuar komandantin e Forcave të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e vendit që nga pushtimi i Rusisë. Një urdhër presidencial i publikuar të hënën njoftoi emërimin e gjeneralmajor Anatoliy Barhylevych si komandant të ri.

Zyra e të drejtave të OKB-së paralajmëroi se nuk ka asnjë sistem për kthimin e fëmijëve ukrainas të marrë në Rusi që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska vitin e kaluar dhe se disa nga ata që u kthyen kishin raportuar keqtrajtim. Autoritetet ukrainase thonë se kanë identifikuar dhe verifikuar pothuajse 20,000 fëmijë që janë dërguar në Rusi gjatë luftës.

Zelenskiy ka apeluar në asamblenë parlamentare të NATO-s për shtetin ndërkombëtar të së drejtës për t’u bashkuar dhe për t’u marrë me terrorizmin, duke krahasuar sulmin nga ajo që ai e quajti një “organizatë terroriste” ndaj Izraelit me taktikat e ngjashme të përdorura nga Rusia, të cilën ai tha se ishte “terror shtetëror”.

Parlamenti i Ukrainës e ka regjistruar një projektligj të hënën përmes të cilit do ta lejojë ndalimin e aktiviteteve të Kishës Ortodokse Ukrainase (UOC) të ndërlidhur me Moskën.

Kisha në fjalë është akuzuar nga Kievi për minimin e unitetit të Ukrainës dhe për bashkëpunim me Rusinë pas pushtimit në shkallë të plotë të Moskës në shkurt të vitit 2022, akuza që ajo i mohon./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala