UNDP-ja i dorëzon MPMS-së kuponë për furnizim për 2 mijë familje

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, financuar nga Qeveria e Luksemburgut, i ka dorëzuar sot Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) kuponë që do t’u shpërndahen 2 mijë familjeve që janë përfituese të Skemës së Ndihmës Sociale.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica tha se nga këta kuponë familjet do të mund të furnizohen me produkte ushqimore dhe higjienike, për tre muaj rresht.

“Bëhet fjalë për mbështetje të familjeve të cilat janë në asistencë sociale, e të cilat në këto rrethana të pandemisë është mëse e njohur që kanë nevojë për mbështetje shtesë”, tha ministri duke falëndëruar UNDP-në për mbështetjen.

Sipas tij, kuponët do të kenë vlera të ndryshme varësisht prej numrit të anëtarëve të familjeve.

“Familjet nga një deri në katër anëtarë do të përfitojnë një kupon në vlerë 60 euro për tre muaj rresht. Familjet që kanë nga pesë deri në tetë anëtarë të famijes në vlerë kuponi do të jetë 70 euro për muaj dhe grupi i tretë familjet mbi tetë anëtarë do të përfitojnë 80 euro kuponë në muaj”, tha ministri.

Ai shtoi se kjo mbështetje do t’u ofrohet familjeve që janë në gjendje më të rënduar dhe familjet që mbahen vetëm nga njëri prind, ata me nevoja të veçanta, nënat vetëushqyese, e të tjera.

Kurse nga UNDP-ja premtuam mbështetje të mëtejmë për familjet në nevojë në Kosovë.

Pranimin e kuponëve sot në këtë ngjarje e bënë zyrtarë nga qendrat për punë sociale nga Komuna e Prishtinës dhe ajo e Lipjanit.

Sipas MPMS-së, mbi 25 mijë familje në Kosovë jetojnë me asistencë sociale.