Ulpianë, druri shkatërrohet për terasë të lokalit

Banorë të lagjes ‘Ulpiana’ në Prishtinë janë në hall me lokalet që po shkatërrojnë drunjtë për zgjerim të terasave të lokaleve.

Në disa foto të dërguara në KALLXO.com shihet sesi është larguar dheu tek rrënjët e drunjve si dhe janë prerë shumë degë.

Përveç dëmeve materiale e ambientale, kjo paraqet rrezik edhe për banorët që kalojnë andej.

Kallxo.com ka kontaktuar me drejtorin e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, lidhur me rastin në fjalë i cili tha se këto punime janë ndërprerë të dielën dhe është hapur lënda për procedurë të mëtutjeshme.

“Para dy ditësh i janë ndërprerë punimet dhe i është hapur lënda për procedurë të mëtutjeshme. Në të njëjtën kohë është gjobitur për dëmtimin e hapësirës së gjelbër,” ka thënë Tahiri.