Prishtinë, inspekcioni komunal rrënon dy objekte që po ndërtoheshin pa leje - FOTO

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës ka rrënuar dy objekte të cilat po ndërtoheshin pa leje të drejtorisë së urbanizmit.

“Drejtoria e Inspekcionit – Komuna e Prishtinës pas përfundimit të të gjitha procedurave të parapara ligjore, sot, përkatësisht dje, ka bërë rrënimin e dy objekteve të cilat kishin filluar të ndërtohen pa leje të organit kompetent komunal, saktësisht Drejtorisë së Urbanizmit”, thuhet në njoftimin e drejtorisë së Inspekcionit.

Tutje, në njoftim drejtoria e inspekcionit u bën thirrje qytetarëve që të mos nisin asnjë punë në fushën e ndërtimit pa u pajisur me leje.

“Drejtoria e Inspekcionit me këtë rast iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Prishtinës që të përmbahen dhe të mos fillojnë asnjë lloj pune në fushën e ndërtimit pa u pajisur paraprakisht me leje të ndërtimit, në të kundërtën, ndryshe nga vullneti dhe qasja aktuale e qeverisjes së re të Komunës, jemi të detyruar të ndërmarrim masa të ngjashme rrënimi, të rënda e të kushtueshme për të gjithë”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas të dhënave komuna e Prishtinës numëron mbi 40 mijë ndërtime pa leje.

Komuna e Prishtinës ka 46 mijë ndërtime pa leje e pak aplikime për legalizim