Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Bjellorusisë/Twitter

Ukraina dhe Rusia do të zhvillojnë të hënën rundin e tretë të bisedimeve

Ukraina dhe Rusia do të mbajnë rundin e ri të bisedimeve të hënën, tha zyrtari ukrainas, Davyd Arakhamia.

Arakhamia udhëheq fraksionin parlamentar të partisë së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenksy. Ai po ashtu është pjesëtar i delegacionit ukrainas në bisedimet me Rusinë.

Sipas tij, në takimin e së hënës, palët do të bisedojnë për një marrëveshje armëpushimi dhe për korridore humanitare për evakuimin e civilëve.

Është dita e dhjetë e luftës në Ukrainë. Makineria ushtarake ruse ka vazhduar me sulme nëpër qytetet kryesore ukrainase. Luftimet janë intensifkuar ndërkohë që më shumë se 1.2 milionë njerëz kanë ikur në vendet fqinje në eksodin më të shpejtë të refugjatëve këtë shekull.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Invazioni ushtarak i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL