Foto: Policia e Kosovës, Facebook

U rrahën pas aksidentit në trafik, arrestohen dy persona dhe sekuestrohet një armë

Një aksident trafiku ishte arsyeja që dy qytetarë u rrahën dhe përfunduan nën pranga.

“Janë arrestuar dy persona të dyshuar për shkak se, një mosmarrëveshje çasti e ardhur si rrjedhojë e një aksidenti trafiku ka përshkallëzuar në rrahje mes tyre” – njofton Policia e Kosovës.

56-vjeçari Z.B dhe 25-vjeçari R.B u arrestuan dje rreth orës 19 në rrugën “Ali Hadri” në Prishtinë dhe me urdhër të prokurorit u dërguan në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës njofton se prej të dyshuarve ka sekuestruar një revole të tipit “HS” dhe 15 fishekë.

Hetimet janë iniciuar për tri vepra penale “Lëndim i rëndë trupor”, “Kanosja” dhe “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”.

Policia thotë se po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.