Ngritet aktakuza për rastin ‘Karaçeva’

73 persona janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjilanit në lidhje me rastin ‘Karaçeva’.

KALLXO.com mëson se aktakuza dhjetëra faqëshe e cila përshkruan në detaje gjithë veprimtaritë ilegale të 73 personave të akuzuar, mes tyre edhe disa zyrtarë policor është ngritur dhe është dërguar në Gjykatën e Gjilanit.

Aktakuza është dërguar gati një vit pas aksionit që ndodhi në fshatin Karaçevë dhe disa vende të tjera përreth për veprat penale kontrabandë me kafshë, mundësim të kontrabandës, për të cilën dyshohen disa zyrtarë policor si dhe për lojëra ilegale të fatit.

KALLXO.com ka publikuar disa emisione në lidhje me rastin  ‘Karaçeva’.

Pamje nga ndërhyrja e policisë në kazinotë në Karaçevë, shkatërrimi i tyre, ndërhyrja në disa mishtore në disa rajone te Kosovës tek të cilat dyshohej se kishin shitur mish të kafshëve të kontrabanduara përmes rrugëve ilegale të Karaçevës, janë transmetuar në emisionet e #KallxoPernime.

Gjithashtu KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi edhe për të arrestuarit të cilët kanë pranuar fajësinë, si dhe kanë bashkëpunuar me prokurorinë në Gjilan për të zbardhur zingjirin e bosëve të lojërave ilegale të fatit në Karaçevë.

Si nisi rasti i Karaçevës:

Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ligjin për ndalim të lojërave të fatit në Kosovë. Në po atë vit KALLXO.com kishte pranuar informacione të shumta se në njërën nga fshatrat e Kamenicës janë duke u zhvilluar lojëra të fatit në mënyrë ilegale dhe në kundërshtim me ligjin.

KALLXO.com kishte arritur që të futej përtej këtyre kazinove që ishin ndërtuar në fshatin Karaçevë dhe të vërtetoj informacionet se brenda luheshin lojëra të ndryshme të fatit.

Të gjitha informacionet që posedonte në atë kohë KALLXO.com i kishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Gjilan e që më pas nisi një hetim që do të zgjaste më shumë se 14 muaj e që përfundoi me dhjetëra të arrestuar në aksionin e shtatorit të vitit të kaluar.

Hetimin në Karaçevë e kryen Prokuroria Themelore në Gjilan dhe Inspektorati Policor i Kosovës, pasi që dyshimet ishin se në mundsim të kontrabandës e zhvillimit të lojërave të fatit pati të implikuar edhe zyrtar policor.

Aksioni i 18 shtatorit në Karaçevë rezultoi me mbi 50 të arrestuar, 12 nga ta zyrtar policor, 13 objekte të rrënuara e kafshë të sekuestruara të cilat ishin kontrabanduar përmes rrugëve ilegale e që vinin nga Serbia.

Veprimtaria e lojërave të fatit po zhvillohej shumë pak kilometra nga pika kufitare që lidh Kosovën me Serbinë.

Për zonën ku zhvillohej bixhozi fillimisht u tha se nuk ka mbikëqyrje institucionale dhe se është zonë e paprekshme.

14 muaj hetim për të vërtetuar veprimtarinë ilegale të personave të involvuar dhe hetimi pas arrestimit sot ka përfunduar me aktakuzë ndaj 73 personave.

Sipas aktakuzës, të pandehurit F.L., H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.Th., S.G., S.N.,  Z.A., N.S., dhe F.K., akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’.

Po ashtu, edhe të pandehurit D.S., A.Th., A.S., B.S., F.S., A.S., N.K., S.D., B.S., F.S., V.S., L.M., F.V., I.V., S.S., M.S., F.M. dhe B.F., akuzohen për veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’.

Edhe të pandehurit E.K., F.S., R.S., N.M., H.Rr., P.Sh., A.D., F.B., A.Th., F.K. dhe L.S., akuzohen për veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’.

Ndërsa, të pandehurit J.H., N.Sh., Sh.K., K.M., U.A., B.Rr., A.H., H.M. dhe J.B., kanë kryer veprat penale ‘’Blerja, pranimi ose fshehja  e sendeve te përfituara me kryerjen e veprës penale’’,  dhe ‘’Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor’’.

Të pandehurit B.A. dhe B.B., akuzohen  për shkak të veprës penale ‘’Blerja pranimi, ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen  e veprës penale’’.

Të pandehurit N.L., F.L., Xh.K., A.S., A.Th., Y.F., L.G., D.H., I.K., M.L., B.G., Sh.I., M.M., Q.M., M.M, N.R., I.F., A.Th., V.B. dhe S.I., akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’.

 

Raportimet e KALLXO.com për rastin ‘Karaçeva’ mund t`i lexoni duke klikuar në LINK