Vijon aksioni në Karaçevë: Ka të arrestuar dhe po rrënohen disa objekte

Disa persona janë vënë në pranga nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në aksionin të cilin janë duke e realizuar në zonën e Karaçevës.

Drejtori i Policisë së Rajonit të Gjilanit, Agron Rukiqi i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë shkurt se ka të arrestuar por ende nuk kanë ndonjë numër të saktë për shkak se aksioni ende po vazhdon.

Në anën tjetër KALLXO.com mëson se përveç të arrestuarve janë duke u rrënuar edhe disa objekte të cilat janë hapur në atë zonë kohëve të fundit e ku dyshohet se zhvillohej veprimtari ilegale e lojërave të fatit.

Siç thonë burimet e KALLXO.com, në atë zonë janë duke u rrënuar tre objekte në të cilat zhvillohej veprimtari ilegale.

Aksioni i sotëm në Karaçevë është i dyti i njëllojtë që po ndodh pas atij të shtatorit të vitit të kaluar.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për aksionin e shtatorit të vitit të kaluar ku u arrestuan më shumë se 70 persona nën dyshimet se kanë kryer kontrabandë me mallra, e zhvillim të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu vitin e kaluar ishin rrënuar 12 objekte të cilat ishin ndërtuar në fshatin Karaçevë e në të cilat zhvilloheshin lojërat e fatit.

Si nisi rasti Karaçeva? 

Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për ndalim të lojërave të fatit në Kosovë. Në po atë vit KALLXO.com kishte pranuar informacione të shumta se në njërën nga fshatrat e Kamenicës janë duke u zhvilluar lojëra të fatit në mënyrë ilegale dhe në kundërshtim me ligjin.

KALLXO.com kishte arritur që të futej brenda këtyre kazinove që ishin ndërtuar në fshatin Karaçevë dhe të vërtetojë informacionet se brenda luheshin lojëra të ndryshme të fatit.

Të gjitha informacionet që posedonte në atë kohë KALLXO.com, i kishte dërguar në Prokurorinë e Gjilanit e që më pas nisi një hetim që do të zgjaste më shumë se 14 muaj e që përfundoi me dhjetëra të arrestuar në aksionin e shtatorit të vitit të kaluar.

Në këtë hetim u përfshinë institucione të shumta, ndër to edhe Inspektorati Policor i Kosovës pasi që dyshimet ishin se në mundësim të kontrabandës e zhvillimit të lojërave të fatit, pati të implikuar edhe zyrtarë policorë.

Aksioni i 18 shtatorit në Karaçevë rezultoi me mbi 50 të arrestuar, 12 nga ta zyrtarë policorë, 13 objekte të rrënuara e kafshë të sekuestruara të cilat ishin kontrabanduar përmes rrugëve ilegale e që vinin nga Serbia.

Veprimtaria e lojërave të fatit po zhvillohej shumë pak kilometra nga pika kufitare që lidh Kosovën me Serbinë.

Për zonën ku zhvillohej bixhozi, fillimisht u tha se nuk ka mbikëqyrje institucionale dhe se është zonë e paprekshme.

14 muaj hetim për të vërtetuar veprimtarinë ilegale të personave të përfshirë dhe pas arrestimit sot ka përfunduar me aktakuzë ndaj 73 personave.

Sipas aktakuzës, të pandehurit F.L., H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.Th., S.G., S.N.,  Z.A., N.S., dhe F.K., akuzohen se kanë kryer veprën penale – kontrabandim me mallra.

Po ashtu, edhe të pandehurit D.S., A.Th., A.S., B.S., F.S., A.S., N.K., S.D., B.S., F.S., V.S., L.M., F.V., I.V., S.S., M.S., F.M. dhe B.F., akuzohen për veprën penale – kontrabandimi me mallra.

Edhe të pandehurit E.K., F.S., R.S., N.M., H.Rr., P.Sh., A.D., F.B., A.Th., F.K. dhe L.S., akuzohen për veprën penale – kontrabandimi me mallra.

Ndërsa, të pandehurit J.H., N.Sh., Sh.K., K.M., U.A., B.Rr., A.H., H.M. dhe J.B., kanë kryer veprat penale – blerja, pranimi ose fshehja  e sendeve te përfituara me kryerjen e veprës penale,  dhe prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë.

Të pandehurit B.A. dhe B.B., akuzohen për vepra penale  – blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen  e veprës penale.

Të pandehurit N.L., F.L., Xh.K., A.S., A.Th., Y.F., L.G., D.H., I.K., M.L., B.G., Sh.I., M.M., Q.M., M.M, N.R., I.F., A.Th., V.B. dhe S.I., akuzohen se kanë kryer veprën penale -organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Raportimet e KALLXO.com për rastin ‘Karaçeva’ mund t`i lexoni duke klikuar në LINK