'Ti ke bërë fëmijë' - Rrëfimi i Liridona Deliut, e plagosur në masakrën e Abrisë në 1998

Në emisionin #KallxoPërnime po transmetohet rrëfimi i Liridona Deliut, një nga katër të mbijetuarat e masakrës së Abrisë së Drenasit më 26.09.1998.

Deliu tregon se kur ndodhi masakra ishte 3 vjeçe e gjysmë dhe se e kujton momentin kur u dërguan në një lagje tjetër nga ushtria serbe.

“Pak mbaj mend por duke u rrit më kujtoheshin disa skena. Më kujtohet kur na kanë marrë e na kanë çu në një lagje tjetër. Ne jemi gëzu që na ka fol dikush shqip”- rrëfen Liridona Deliu.

Liridona tregon se të mbijetuar të masakrës së Abrisë përveç saj janë edhe Besniku, i vëllai i saj, Alberti, djali i xhaxhait të saj si dhe Arlinda, motra e saj.

Pas përfundimit të luftës, Liridona së bashku me tre të mbijetuarit tjerë të kësaj masakre ka aplikuar për statusin e viktimës së luftës, megjithatë asaj iu refuzua ky status.

Statusi i viktimës së luftës iu refuzua edhe Besnikut e Albertit. Arlinda është e vetmja e mbijetuar që iu njoh ky status.

Liridona në #KallxoPërnime rrëfen se katër herë kanë aplikuar për statusin e viktimës së luftës por që të tri herat iu refuzua ky status.

“Të katër të mbijetuarit jemi të plagosur. Unë jam e plagosur në pjesën e fytyrës, në trup, dorë dhe këmbë”- tregon Deliu.

Deliu tregon se për herë të parë për statusin e viktimës së luftës aplikoi më 13.12.2017, por se ai aplikim iu refuzua.

“Nuk më kanë dhënë kurrfarë arsyetimi për refuzim, vetëm ‘s’i ke plotësu kushtet për aplikacion’. Kemi bërë ankesë por që është refuzuar edhe ajo”- deklaroi Deliu.

Tutje ajo rrëfeu se si ndodhi që kur deshi të shpaloste plagën në komisionin e vlerësimit kur aplikoi për herë të katërt për statusin e viktimës së luftës, por që komisioni refuzoi t’i shikonte plagët e saj.

“Në komision ma kërkuan emrin, mbiermin dhe më pyetën se çfarë di unë për luftën. Unë kam deshtë me e shpalos plagën e trupit, më kanë thënë ‘s’ki nevojë, jemi në rregull’”- tregoi Liridona Deliu.

Gjashtë anëtarë të komisionit kanë qenë prezent kur iu refuzua Liridonës t`i tregonte plagët.

“Derisa t’i je e martune, ke kriju familje, ke bërë fëmijë, mundesh me ecë, mundesh me hangër me duar dhe me këmbë, nuk të pranohet statusi”- rrëfen Liridona Deliu, kur tregon se çka ju tha në komisionin e vlerësimit.

Ajo tutje thotë se një muaj pas kësaj bisede ju refuzua aplikimi.

Kur Besniku, vëllai i Liridonës shkoi për të marr fizikisht refuzimin e aplikimit, sipas Liridonës atij iu thanë edhe disa fjalë.

“Krejt e keni pas të kryne (çështjen e statusit) por për shkak se motra jote ka fol, nuk është bërë miratimi i letrave, ajo na ka fy”- është rrëfimi i bisedës mes vëllait të Liridonës me një zyrtar të Minsitrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Më 26 shtator të vitit 1998 u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq, prej gjashtë muaj deri në 94 vjeç.

Vlerësimin për shkallën e invaliditetit të invalidëve civil të luftës e bën Komisioni Mjekësor i Shkallës së parë (të cilët janë të intervistuar në fund të emisionit), dhe të dytë, i cili vepron dhe punon në kuadër të Ministrisë, të cilët janë të intervistuar në fund të emisionit.

#KallxoPernime ka dërguar pytje te Shqipe Krasniqi, Bukurie Krasniqi dhe Mehdi Thaqi, që i kanë nënshkruar tri vendimet për refuzim, por deri në momentin e publikimit të këtij emisioni nuk kemi pranuar përgjigje nga ta.