Policë të FRONTEX - Foto: REL-Frontex (courtesy image)

Thirrje për reformë themelore të Frontex-it

Pas dorëheqjes së drejtorit të Frontex-it, Leggeri bëhet thirrje për më shumë mbikëqyrje, sepse pas një sërë skandalesh për dëbime të paligjshme të emigrantëve, integriteti i Frontex-it është në pikëpyetje.

Frontex-i është agjencia më e madhe e BE-së dhe Fabrice Leggeri ka qenë shefi i saj që nga viti 2015. Ky institucion është rritur jashtëzakonisht shumë vitet e fundit: buxheti për vitin 2022 është shtuar me disa milionë eurodhe numri i të punësuarve pritet të shkojë deri në rreth 10,000 vetë. Megjithatë puna e këtij institucioni është shoqëruar me akuza të panumërta nga aktivistë të të drejtave të njeriut, deputetë dhe gazetarë për shkak të dëbimeve ilegale me forcë të atyre që përpiqeshin të kalonin kufijtë tokësorë dhe detarë të Evropës.

Për raste të tilla kanë shkruar mediat ndërkombëtare si “Der Spiegel”, “Lighthouse Reports”, “Libération” apo BBC. Edhe aktivistët për të drejtat e njeriut që përpiqeshin të shpëtonin me varka refugjatët në Detin Mesdhe kanë raportuar për dëbime ilegale me forcë të atyre që përpiqeshin të hynin me varka në ujërat e Evropës.

Në verën e vitit 2021 u publikua një raport i Parlamentit Evropian mbi punën e Frontex-it dhe dëbimet ilegale me forcë. Sipas raportit Frontex-i i ka anashkaluar provat që migrantët i kanë kthyer ilegalisht me forcë në kufijtë e BE-së gjë që përbën shkelje të të drejtave të tyre njerëzore. dhe nuk i ka hetuar shpejt ose tërësisht akuza për shkelje të tilla.

Tineke Strik, eurodeputete holandeze e Partisë së Gjelbër, që ishte autore e raportit parlamentar për Frontex tha pas dorëheqjes së Fabrice Leggeri “se këtë dorëheqje e kemi pritur prej një viti e gjysmë”. Ajo tha se tani është vërtet koha për një ndryshim të kulturës së punës të Frontex-it dhe që të drejtat e njeriut të merren seriozisht.

Edhe Karl Kopp nga organizata e refugjatëve Pro Asyl gjithashtu mendon se dorëheqja e Leggerit është “e vonuar”: “Është skandal që drejtori i një agjencie të BE-së mbuloi shkeljet e të drejtave të njeriut për vite me radhë, manipuloi provat dhe gënjeu Parlamentin Europian” – tha Kopp dhe bëri thirrje për një fillim të ri./DW