Ilustrim

Thirrje për ndihmë teksa uria kaplon Kartumin e dërrmuar nga lufta

Në një distrikt të shkatërruar nga lufta në kryeqytetin e Sudanit, Abbas Mohammed Babiker thotë se ai dhe familja e tij kanë mundur të hanë vetëm një herë në ditë.

Tani, edhe kjo është në pikëpyetje, por një grup mbështetës i qytetarëve të dielën ka lëshuar një apel urgjent për donacione, për t’i ndihmuar njerëzit si ai.

“Ne kemi mjaftueshëm vetëm edhe për dy ditë të tjera”, ka thënë Babiker, nga Kartumi verior, ku banorët kanë thënë se të paktën një person, muzikant vendës, ka vdekur nga uria.

Që nga 15 prilli, betejat ndërmjet ushtrisë së Sudanit, të udhëhequr nga Abdel Fattah al-Burhan, dhe paramilitarëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të udhëhequr nga Mohamed Hamdan Daglo, kanë çuar në vrasjen e më shumë se 3.900 personave, sipas monitoruesve ndërkombëtarë.

Më shumë se 2.6 milionë njerëz, kryesisht nga Kartumi, janë zhvendosur brenda vendit, ka bërë të ditur Organizata Ndërkombëtare për Emigracion.

Mijëra njerëz që vazhdojnë të qëndrojnë në kryeqytet, veçanërisht në Kartumin verior, janë të ngujuar në shtëpi, pa furnizim me ujë, që kur ujësjellësi lokal është dëmtuar në fillim të luftës, raporton AFP.

Banorët thonë se kanë energji elektrike herë pas here, ndërsa ushqimi pothuajse u është harxhuar.

Në mbarë Sudanin, rreth një e treta e popullsisë përballej me uri edhe para fillimit të luftës, ka thënë Programi Botëror i Ushqimit, i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Përkundër sfidave të sigurisë, agjencia thotë se ka ndihmuar mbi 1.4 milion njerëz me ndihma emergjente ushqimore, teksa nevojat po rriten.

“Për shkak të luftimeve, nuk ka më treg, e as nuk kemi para”, ka thënë një banor tjetër i Kartumit verior, Essam Abbas.

Për t’iu ndihmuar atyre, një “komitet rezistence”, grup prodemokratik lokal, ka lëshuar një apel urgjent.

“Ne duhet ta mbështesim njëri-tjetrin, të japim ushqim dhe para, dhe t’ua shpërndajmë njerëzve përreth nesh”, ka shkruar komiteti në rrjetin social Facebook.

Në Omdurmanin e afërt, po ashtu të dërrmuar nga luftimet, violinisti i njohur në vend, Khaled Senhouri “ka vdekur nga uria” javën e kaluar, kanë shkruar miqtë e tij në Facebook.

Në postimet e tij online, Senhouri kishte thënë se nuk mund të largohej nga shtëpia për shkak të luftimeve, dhe se përpiqej të mbijetonte me furnizimet që kishte./REL.