Ilustrim

Therrja me thikë në Deçan, policia arreston një person 

Një zënkë verbale mes dy personave brenda një lokali në Deçan përfundoi me therje me thikë më 11.02.2024. 

Policia ka njoftuar në raportin ditor se kanë arrestuar një person të dyshuar për të cilin është iniciuar vepër penale vrasje në tentativë. 

Zënka verbale mes dy personave ditë më parë qoi deri te një kacafytje e që tutje vazhdoi me përdorimin e mjeteve të mprehta, një person mori lëndime trupore e më pas u dërgua në trajtim mjekësor. 

Policia ka njoftuar sot më 13.02.2024 se kanë arrestuar një person të dyshuar dhe me urdhër të prokurorit kujdestar i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë. 

Në anën tjetër viktima, e cila u ther me thikë ishte dërguar më 11 shkurt në Spitalin e Pejës për trajtim mjekësor. 

Pas therjes me thikë, i dyshuari dy ditë më parë dyshohet se ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe policia ishte vënë pas tij. 

Rasti po vazhdon që të hetohet nga organet e rendit. Në anën tjetër KALLXO.com mëson se prokuroria në Pejë ka bërë edhe kërkesë për masën e paraburgimit për të dyshuarin.