Thatanik dhe në dukje si fantazmë, ish-presidenti i burgosur i Gjeorgjisë afër vdekjes në spital

I mbyllur në një spital në Tbilisi, Mikheil Saakashvili po venitet ngadalë.

“Unë kërkoj të transferohem në Poloni, pasi është e qartë se në spitalin gjeorgjian do të vdes”, shkroi ish-presidenti i Gjeorgjisë në përgjigje të pyetjeve nga Observer javën e kaluar. Përgjigjet e tij u skalitën me stilolaps blu në letër dhe iu kaluan avokatëve të tij.

Fotografitë dhe videot e Saakashvilit në spital e shfaqin atë të dobësuar dhe të hutuar. Një raport i fundit nga ekspertë të pavarur sugjeroi se shëndeti i tij është përkeqësuar rëndë dhe së shpejti do të përballet me dëmtime të pariparueshme të organeve trupore. Që nga arrestimi i tij, thotë ai, pesha e tij është përgjysmuar në 60 kg.

“Të dhembin sytë kur e shikon, nuk është më një person, duket si një fantazmë”, thotë Giorgi Chaladze, avokati dhe aleati politik i Saakashvilit që e viziton rregullisht në spital.

Dy dekada më parë, Saakashvili udhëhoqi Revolucionin e Trëndafilave të Gjeorgjisë dhe vitet e para të presidencës së tij të mëvonshme u përshëndetën nga shumë në Perëndim si një model për reforma në vendet post-sovjetike. Ai u largua nga posti pas një dekade me një reputacion të përzier, axhenda e tij e reformave u prish nga pushtimi rus i Gjeorgjisë në vitin 2008 dhe akuzat për rritje të autoritarizmit.

Tani, burgosja dhe rënia e shpejtë e një njeriu që e vuri vendin e tij në rrugën drejt integrimit në BE dhe NATO, shihet nga shumë aleatë perëndimorë të Gjeorgjisë si një simbol i kthimit të vendit drejt orbitës së ndikimit të Moskës. Ndërkohë që shoqëria gjeorgjiane mbetet pro-perëndimore, qeveria e saj akuzohet se e ka bërë në mënyrë të fshehtë ofertën e Rusisë.

Në shtëpi, Saakashvili mbetet një figurë polarizuese, por edhe shumë nga ata që nuk e pëlqejnë atë, janë të shqetësuar për trajtimin e tij. Saakashvili u kthye në Gjeorgji në vitin 2021 nga Ukraina, ku në vitin 2015 u emërua guvernator i Odesës bazuar në kredencialet e tij reformiste.

Ai donte të rikthehej në politikë në vendin e tij, por me mbërritjen në tetor të vitit 2021 u arrestua menjëherë, pasi u dënua në mungesë për abuzime me pushtetin. U transferua nga burgu në spital majin e kaluar. Shumë e shohin burgosjen e tij si përmbushje të një hakmarrjeje ndaj tij nga rivali i tij politik, oligarku Bizdina Ivanishvili. Në vitin 2012, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare e Saakashvilit u zëvendësua si parti qeverisëse e Gjeorgjisë nga koalicioni ‘Ëndrra Gjeorgjiane’, i udhëhequr nga Ivanishvili, një gjeorgjian që e kishte bërë pasurinë e tij në Rusi në vitet 1990. Aleatët e Saakashvilit këmbëngulin se Ivanishvili është një aset rus.

Një pozicion i hapur pro-rus nuk do të fluturonte kurrë në Gjeorgji, ku kujtimet e luftës së vitit 2008 mbeten ende dhe ku Moska ende de-fakto e mban të pushtuar 20% të territorit gjeorgjian. Sondazhet e paraqesin vazhdimisht se një shumicë dërrmuese e gjeorgjianëve janë në favor të integrimit evropian. Ndërtesat në të gjithë Tbilisin janë pikturuar me flamuj ukrainas ose grafite të turpshme për Vladimir Putin.

Mirëpo, kritikët thonë se Ivanishvili, i cili ende besohet se e kontrollon qeverinë e ‘Ëndrrës Gjeorgjiane’, pavarësisht se nuk ka asnjë rol formal, po e saboton axhendën e integrimit evropian ndërkohë që pretendon se e mbështet atë, dhe kështu po punon në favor të Moskës zyrtare.

“Që nga fillimi i luftës, Ëndrra Gjeorgjiane ka bërë vazhdimisht deklarata kundër BE-së dhe vlerave evropiane”, thotë Eka Tsimakuridze nga Democracy Index Georgia.

Një vendim kyç i BE-së për dhënien e statusit të kandidatit për Gjeorgjinë pritet në dhjetor, pasi ai u shty vitin e kaluar ndërkohë që Ukraina dhe Moldavia u pranuan. Në shkurt, Parlamenti Evropian votoi me shumicë dërrmuese për një rezolutë që e përshkruan arrestimin e Saakashvilit si një “hakmarrje personale” kundër tij dhe bëri thirrje për lirimin e tij. Koalicioni qeverisës i ka injoruar kërkesat e Parlamentit Evropian.

Më shqetësuese për shumë gjeorgjianë sesa burgosja e Saakashvilit ishin planet për ta futur një ligj të ri muajin e kaluar përmes të cilit do t’u kërkonte organizatave që marrin fonde të huaja të regjistroheshin si “agjentë të huaj”. I quajtur “ligji rus” për shkak të ngjashmërisë së tij me legjislacionin e miratuar nga Kremlini, tentimi për ta futir këtë ligj çoi në protesta në Tbilisi dhe një kthesë eventuale nga qeveria.

Qeveria e ‘Ëndrrës Gjeorgjian’e ka ekuivokuar gjithashtu luftën në Ukrainë, duke përmendur frikën se të qenit shumë hapur pro-ukrainas mund të çojë në një konflikt të ri me Rusinë. Gjeorgjia ka përfunduar duke e minimizuar mbështetjen për Kievin, i cili është i shqetësuar me shumë gjeorgjianë. Giorgi Margvelashvili, i cili ishte presidenti i vendit midis viteve 2013 dhe 2018, tha se ishte “tepër e dhimbshme” të shikoje teksa qeveria përpiqej ta ruante neutralitetin në luftë, edhe pse shumë vullnetarë gjeorgjianë kanë shkuar për të luftuar.

“Nuk mendoj se kemi burime për të ndihmuar ekonomikisht apo ushtarakisht, por politikisht duhet të jemi në front. Është përgjegjësia jonë historike ta udhëheqim këtë kauzë, ne e kemi kaluar këtë vetë… në vend të kësaj, ata po e udhëheqin këtë vend në sferën e ndikimit ruse”, tha ai.

Edhe pse ai është një kritik i kahmotshëm i Saakashvilit, Margvelashvili tha se “është  e tmerrshme të shikosh se si po vritet ish-presidenti ynë”.

Saakashvili e akuzon Ivanishvilin se e ka arrestuar me urdhër të Putinit. Putini e përçmoi Saakashvilin dhe deklaroi në mënyrë të famshme se do të dëshironte ta varte “nga topat” në një bisedë me presidentin e atëhershëm francez Nicolas Sarkozy rreth kohës së luftës së 2008-ës.

Rreth asaj kohe, shumë në Perëndim i hodhën poshtë paralajmërimet e Saakashvilit për Putinin si tmerruese, por tani disa pyesin nëse ai kishte pasur të drejtë gjatë gjithë kohës.

Tani, thotë Saakashvili, Putini po i ndjek kërcënimet e tij. Ekipi i tij gjithashtu pretendon se ish-presidenti është helmuar me metale të rënda në burg dhe i është nënshtruar torturave të rregullta. Kur i kërkohet që t’i elaborojë këto akuza, Saakashvili shkruan: “është rrahur. E kanë dërguar në ‘spitalin’ e burgut me shumicën e kriminelëve të dhunshëm dhe e kanë tërhequr zvarrë nëpër [tekst i  palexueshëm] e tyre ku po e pështynin pa pushim dhe pastaj për 10 ditë nuk mund ta fiknin dritën pasi do të dëgjonin bërtima për kërcënime me vdekje.

Të premten, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, bëri apel për lirimin e Saakashvilit, i cili është shtetas ukrainas që nga viti 2015: “Nëse një person ka nevojë për kujdes mjekësor dhe jeta e tij varet nga kjo, atëherë ky hap është i nevojshëm”. Ndaras nga kjo, lideri i burgosur i opozitës ruse Alexei Navalny e kritikoi trajtimin “e tmerrshëm dhe të pashpirt” të Saakashvilit në një deklaratë nga burgu, duke thënë se kjo po ndikonte në ofertën e Gjeorgjisë për kandidaturën në BE dhe “po e minimizon mundësinë e një të ardhmeje normale”.

Zbrapsja e qeverisë mbi ligjin e agjentit të huaj ka qenë e mjaftueshme për ta qetësuar lëvizjen protestuese tani për tani, dhe një tubim kundër trajtimit të Saakashvilit tërhoqi vetëm një pjesë të numrit të protestave kundër ligjit në fjalë. Mirëpo shumë gjeorgjianë e presin dhjetorin kur BE do të vendosë nëse Gjeorgjia ka bërë përparim të mjaftueshëm për t’u shpallur një vend zyrtar kandidat.

Mund të shohim se ky është një moment historik, dhe nëse nuk e përdorim tani, kush e di se kur do të hapet përsëri kjo dritare,” thotë Giorgi Ekaladze, student i vitit të katërt të drejtësisë në Universitetin Shtetëror Tbilisi, i cili ishte një nga organizatorët e protestave të studentëve për ligjin muajin e kaluar.

Oreksi për zgjerim është minimal në shumë vende të BE-së, por pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka ofruar një mundësi për vende si Gjeorgjia që ta shtyjnë këtë çështje përpara që Brukseli duhet të veprojë nëse nuk dëshiron të lërë rrugën e hapur për dominimin rus.

Ndërkohë që Saakashvili mbetet një figurë e diskutueshme për shumë gjeorgjianë, ndërkombëtarisht, burgimi i vazhdueshëm i njeriut të përmendur gjerësisht si “Misha” është ndoshta pengesa më e madhe për një vendim pozitiv për të ardhmen e Gjeorgjisë në BE, duke pasur parasysh mbështetjen e fortë për Saakashvilin në qeveritë polake dhe baltike. SHBA ka vendosur sanksione ndaj katër gjyqtarëve gjeorgjianë për “korrupsion të konsiderueshëm”.

Brenda Gjeorgjisë, gjithashtu, fotot dhe video pamjet e Saakashvilit në burg i kanë tronditur edhe shumë nga kritikët e tij.

“Ka pasur shumë shkelje sistematike të të drejtave të njeriut gjatë sundimit të Saakashvilit, por në një shtet ligjor ju duhet të ngrini akuza të duhura, jo ta bëni kështu”, thotë Tsimakuridze.

“Mund ta keni një mosmarrëveshje të ashpër politike me Mishën, por vdekja e tij e mundshme në burg do të ishte një fatkeqësi për këtë vend”, thotë Salome Samadashvili, ish-ambasadore e Gjeorgjisë në Bruksel dhe deputete nga partia e Saakashvilit, e cila kohët e fundit u nda për t’u bashkuar me një parti tjetër opozitare.

“Nëse ai vdes në burg, kjo do të krijojë një plagë të thellë në shoqërinë gjeorgjiane që do të jetë e vështirë për t’u shëruar dhe askush nuk do të flasë për kandidaturën e Gjeorgjisë në BE për një kohë të gjatë”, tha ajo./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala