Gjeorgji - Telashe të brendshme politike për projektligjin për agjentët e huaj

Partia “Dream Party” në pushtet në Gjeorgji e ka tërhequr projektligjin e diskutueshëm për agjentët e huaj pas protestave masive.

Dhjetëra mijëra gjeorgjianë dolën në rrugë duke pretenduar se projektligji i propozuar do t’i ngulfaste liritë në vend.

Gjatë natës të së mërkurës policia përdori topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra të mbledhur jashtë ndërtesës së parlamentit.

Ligji, i hartuar nga paria “Dream Party” në pushtet, nëse miratohet, do të bëjë që të gjitha mediat dhe organizatat joqeveritare që pranojnë 20% të financimit të tyre nga jashtë, të regjistrohen si “agjentë të huaj”.

Ky projektligj është kritikuar nga shoqëria civile, media dhe analistët e vendit, të cilët thonë se “e kërcënon rënien e demokracisë gjeorgjiane”.

Autoritetet gjerogjiane kanë pohuar se ligji është i nevojshëm për ta përmirësuar transparencën.

Në demonstratën e së martës në mbrëmje u arrestuan 66 protestues, mes të cilëve edhe lideri i opozitës Zurab Japaridze, ndërkohë që 50 policë janë plagosur.

Protestuesit raportuan gjithashtu lëndime, me një numër oficerësh që thuhet se u panë duke qeshur ndërkohë që shpërndante turmat.

Organizatat ndërkombëtare dhe shtetet perëndimore e kanë dënuar gjithashtu ligjin, me BE-në duke e paralajmëruar Gjeorgjinë se mund t’i pengojë ambiciet e vendit për në BE.

Të martën, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell e përshkroi ligjin si “një zhvillim shumë të keq për Gjeorgjinë dhe popullin e saj”.

“Bashkimi Evropian i kërkon Gjeorgjisë që ta mbajë angazhimin e saj për promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut dhe kujton të drejtën e njerëzve për një protestë paqësore,” shtoi ai.

Kryetari i partisë ‘Dream Party’, Irakli Kobakhidze, i doli në mbrojtje projektligjit në fjalë pas trazirave që shpërthyen atje.

Ai tha se njerëzit janë mashtruar me “dezinformim”, duke e mbrojtur legjislacionin si të nevojshëm për të zbuluar se kush po i financonte ata që e kritikonin Kishën Ortodokse Gjeorgjiane./Euronews