Matesit per radiatore

Termokos: Nuk ka shtrenjtim të ngrohjes, këtë vit faturimi në bazë të konsumit e jo metrave katror

Ngrohtorja e Kryeqytetit ‘Termokos’ ka bërë të ditur se për këtë sezon ngrohës 15 tetor – 15 prill nuk do ketë shtrenjtim të faturave, por do vazhdohet siç ka qenë deri tani 0.76 euro plus TVSH për subjektet banesore dhe 0.95 euro plus TVSH për konsumatorët afarist dhe institucional.

Sipas Termokos, kjo strukturë tarifore u miratua nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar strukturën tarifore për konsumatorët e NP “Termokos” SH.A. për sezonin ngrohës 2023/2024  Bazuar në strukturën tarifore tanimë të miratuar, edhe këtë sezon ngrohës NP ’’Termokos” do të vazhdojë faturimin me tarifat e deritanishme 0.76 euro plus TVSH për subjektet banesore dhe 0.95 euro plus TVSH për konsumatorët afarist dhe institucional” – thuhet në njoftim.

Faturimi këtë vit për herë të parë do bëhet në bazë të konsumit e sipas metrave katror të objektit. Kjo do jetë sezonë testuese, sipas ndërmarrjes.

Ngrohtorja tutje potencoi se mijëra konsumatorë do marrin shërbim për herë të parë këtë sezon.

NP “Termokos” vazhdon të mbetet edhe më tutje alternativa më e lirë, më e sigurtë dhe më cilësore ngrohëse për mbi 20 mijë konsumatorët aktual dhe mijëra të tjerë, për të cilët do të fillojë furnizimi me ngrohje për herë të parë gjatë këtij sezoni.

Instalimi i njehsorëve, alokatorëve të ngrohjes, termokokave dhe valvolave balancuese tek 15 mijë konsumatorë të ndërmarrjes, në kuadër të projektit “Prishtina Heat Save” i ka hapur rrugë transformimit të metodës së faturimit.

“Bazuar në rekomandimet e ekspertëve, ju informojmë se sezona ngrohëse 2023/2024 do të jetë fazë testuese e metodës së faturimit sipas konsumit. Kjo fazë do t’u mundësojë NP “Termokos” dhe ZRRE-së, që të realizojnë të gjitha analizat teknike, financiare dhe softuerike për të mundësuar një tranzicion sa më të sigurtë në metodën e re të faturimit”- është bërë e ditur nga ndërmarrja.