Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Të rinjtë shesin piktura që të mbledhin fonde për fëmijët me fibrozë cistike

E mbushur me piktura, vegla muzikore e punime, qendra Termokiss në Prishtinë ka bashkuar të rinj, për të ndihmuar fëmijët e prekur me fibrozë cistike.

Ekspozita “Artistic for Cystic” ka për qëllim mbledhjen e fondeve për të blerë medikamente për fëmijët e diagnostikuar me këtë sëmundje, të cilat do të dhurohen në spitalin pediatrik në Prishtinë.

Aktivistja Sara Kaçura tha për KALLXO.com se këtë organizim e kanë bërë që të fitojnë një fond me vlerë 500 euro.

Kaçura tha se me të rinjtë e tjerë kanë planifikuar që kjo ngjarje të zgjas tri ditë, ku do të ketë muzikë, ushqim, pije e aktivitete tjera.

Ajo tha se përpos pikturave që do i sjellin nga shtëpia, edhe në qendrën Termokiss janë pajisur me ngjyra që të interesuarit të mund punojnë aty.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Rreth 100 fëmijë në Kosovë janë me fibrozë cistike. Ne kemi kontaktuar me Pediatrinë në QKUK edhe na kanë thënë që kanë mungesë të barnave qe dy muaj. Ne po mundohemi me aq sa kemi mundësi të mbledhim të holla edhe me të ja dërgojmë atyre”, tha Kaçura.

Ajo tha se do të organizojnë edhe punëtori të tjera për aksesorë, piktura në rroba, të cilat më pas do i shesin.

Qëndresa Gashi, nxënëse e klasës së dhjetë në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë, i kishte sjellë dy pikturat e saj si shenjë kontributi për fëmijët.

“Është ndjenjë tepër e mirë që të kontribuoj për fëmijë që kanë fibrozë cistike, por që nuk i kanë kushtet që t’i blejnë barnat”, tha Gashi.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ky aktivitet për mbledhjen e fondeve u organizua nga disa të rinj të cilët u inspiruan nga një vajzë e cila është e diagnostikuar me një sëmundje të rrallë dhe të kushtueshme, Fibrozën Cistike f508.

Ajo shet pikturat e saj në mënyrë që t’i përballojë shpenzimet e terapisë.

Fibroza cistike është një sëmundje e trashëgueshme që prek mushkëritë dhe sistemin e tretjes.

Trupi prodhon mukus të trashë dhe ngjitës që mund të bllokojë mushkëritë dhe të pengojë pankreasin.