Tahiri: Qeveria do të mbulojë buxhetin për ilaçet e 100 fëmijëve me fibrozë cistike

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria përmes një vendimi do të mbulojë buxhetin për 100 fëmijët e sëmurë me fibrozë cistike.

“Ne do të marrim një vendim që çdo muaj, për tre muaj rresht të përmbushet buxheti për këtë sëmundje”, tha ai.

Këtë deklaratë ai e dha në Kuvendin e Kosovës, pasi që deputetja e AAK-së dhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj, ka kërkuar që të procedohet si amendament në buxhetin e vitit 2021 që të sigurohen ilaçe në vlerë mbi 700 mijë euro për 100 fëmijë që vuajnë nga kjo sëmundje.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, paraprakisht kishte thënë se në tre muajt e parë të vitit 2021 do të mund të bëhet furnizimi me ilaçe.

“Unë e kuptoj këtë natyrën e deputetëve sidomos atyre në pjesën opozitare që mundohen të pasqyrojnë diçka tjetër. Për tre muajt e parë të vitit do të mund t’i furnizojmë me ilaçe, por për t’u siguruar e prezantuam amendamentin”, theksoi Zemaj.

Kuvendi i Kosovës po bën shqyrtimin e dytë të Projektligjit për buxhetin e Kosovës për vitin 2021.