Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Të hyrat me rënie, Qeveria rriti shpenzimet në tremujorin e fundit 2021

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), për tremujorin e katërt të vitit 2021, bëjnë të ditur se të hyrat për atë periudhë ishin më të ulëta në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit 2020. Përkundër se të hyrat ishin me rënie, që i bie se kalon 76 milionë euro më pak, Qeveria shpenzimet e përgjithshme i rriti mbi 5 milionë euro më shumë.

“Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në TM4 2021 ishin 627.1 milion euro, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020 (TM4 2020), që ishin 703.2 milion euro, ka rënie të të hyrave.”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 69.8 për qind të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.

Në anën tjetër, gjithësej shpenzimet e Qeverisë së përgjithshme në tremujorin e fundit të vitit 2021 ishin 822.6 milion euro, që është një rritje e shpenzimeve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar që ishin 817.1 milion euro.

Më shumë shpenzime u realizuan për kontribute sociale dhe përfitime.

“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kontributet sociale dhe përfitimet me 23.8%; kompensimi i punëtorëve me 19.6%; formimi i kapitalit bruto me 15.9%; konsumi i ndërmjetëm me 15.2%. Ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.”, njofton ASK.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit “Llogaritë Qeveritare të Kosovës në bazë tremujore (TM4 2021)”.

Sipas ASK-së, ky publikim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.