Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në vitin 2021 kompensimi i punëtorëve shpenzuesi më i madh i buxhetit

Në vitin e kaluar, të hyrat e përgjithshme qeveritare ishin 2 miliardë e 484.6 milionë euro dhe pjesa më e madhe e tyre u mblodh nga tatimet në produkte.

“Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2021 ishin 2 miliardë e 484.6 milionë eEuro. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 67% të totalit të të hyrave; tatimet rrjedhëse në të ardhura 13%; aktivet dhe detyrimet financiare 11%; ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, gjithsej shpenzimet e përgjithshme qeveritare në vitin 2021 ishin 2 miliardë e 376.4 milionë euro.

Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve 27 për qind, kontributet sociale dhe përfitimet 26 për qind, konsumi i ndërmjetëm 14 për qind, formimi i kapitalit bruto 13 për qind, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategoritë të tjera të shpenzimeve.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e Llogarive Qeveritare për periudhën 2015-2021. Ky publikim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.

Sipas ASK-së, ky publikim është përgatitur në përputhje të plotë me Udhëzuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Statistikat e Financave Qeveritare (GFSM 2014) dhe sipas Sistemit të Llogarive Evropiane (ESA 2010).