Qeveria harxhoi buxhet përtej mundësive, 16% mbi të hyrat

Në tremujorin e fundit të vitit që shkoi, të hyrat qeveritare, ku më shumë se gjysma e tyre mblidheshin nga tatimet, ishin në vlerën e mbi 703 milionë eurove. Ndërsa, shpenzimet qeveritare, ku mbi 42 për qind e tyre u shpenzuan për kontribute sociale, përfitime e kompensim të punëtorëve, kishin vlerën e 817.1 milionë eurove.

Shpenzimet Qeveritare në këtë tremujor ishin më të larta për 16.2 për qind, apo shprehur në numra i bie 113.9 milionë euro sesa ishin të hyrat.

Gjithashtu, të hyrat dhe shpenzimet, ishin më të larta në këtë tremujor si në raport me periudhat paraprake, po ashtu edhe me ato krahasuese të një viti më parë.

Shuma e të hyrave të Përgjithshme në tre muajt e fundit, tetor-dhjetor, të vitit 2020, ishin  703.2 milionë euro.

Më shumë se gjysma e tyre vijnë nga tatimet në produkte.

“Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 52.2% të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”, thuhet në komunikatën e Agjencisë së Statistikave – ASK.

Në tre muajt e fundit, tetor-dhjetor, të vitit që shkoi, të hyrat ishin më të larta për 190.6 milionë euro. Në tremujorin e tretë, të hyrat ishin gjithsej 512.6 milionë euro.

Ndërsa në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, ku të hyrat ishin në shumën e 544.6 milionë euro, rezulton se në këtë tremujor ato u rritën për 158.6 milionë euro më shumë.

Ndryshe nga të hyra, shpenzimet e Qeverisë në tremujorin e fundit të 2020-ës, ishin 817.1 milionë euro.

Kontributet sociale dhe përfitimet së bashku me kompensimin e puëntorëve marrin pjesë me mbi 42 për qind të shpenzimeve.

“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë kontributet sociale dhe përfitimet 21.3%; kompensimi i punëtorëve 20.9%; formimi i kapitalit bruto 16.6%; dhe konsumi i ndërmjetëm 10.8%. Ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”, bën të ditur komunikata.

Edhe te shpenzimet përgjithshme të Qeverisë kemi rritje sipas njoftimit të ASK-së. Shpenzimet në këtë tremujor ishin më të larta për 237.3 milionë euro në raport me tremujorin paraprak, shprehur në përqindje i bie rreth 41 për qind.

Në tre mujorin e tretë të vitit të kaluar shpenzimet ishin në vlerën e 579.8 milionë euro.

Ndërsa në raport me periudhën njëjtë të vitit 2019, sa ishin 744.8 milionë euro, shpenzimet në këtë tremujor rezultojnë të jenë më të larta për 72.3 milionë euro, shprehur në përqindje i bie rreth 10 për qind më tepër.

Sipas sektorëve, ASK bën të ditur se shpërndarja më e madhe e shpenzimeve është bërë në sektorin: çështjet ekonomike 26.3 për qind, mbrojtja sociale 17.6 për qind, shërbime të përgjithshme 16.7 për qind, arsimi 12.7 për qind, shëndetësia 11.8 për qind ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në sektorët e tjerë.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), i bëri të ditura me publikimin e llogarive Qeveritrare të Kosovës në baza tremujore,  “Llogaritë Qeveritare të Kosovës, TM4 2020”. Ky botim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda tremujorit të katërt të vitit 2020.