Të dielën fillon aksioni për grumbullimin e mbeturinave të vëllimshme në Prizren

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se do të fillojë aksionin pranveror për mbledhjen e mbeturinave të vëllimshme.

Sipas njoftimit të komunës ky aksion do të fillojë më datat 1 deri më 7 maj dhe pritet të realizohet sipas orarit të rëndomtë të mbledhjes së mbeturinave.

Mbeturinat e vëllimshme llogariten të gjitha gjësendet e vjetërsuara që nuk përdoren, duke përfshirë orendi të vjetra shtëpiake, vitrina, set ulësesh, tepihë, pajisje teknike etj.

Shtëpitë private këto mbeturina duhet t’i vendosin para dyerve, në ditën kur bëhet shërbimi për mbledhjen e mbeturinave në lagjen përkatëse. Ndërsa banimet kolektive, duhet t’i vendosin ato në pikën publike më të afërt të grumbullimit të mbeturinave.

Ky shërbim është pa pagesë dhe bëhet vetëm dy herë në vit.

“Lusim qytetarët që ta respektojnë orarin e mbledhjes së mbeturinave dhe për çdo informatë shtesë të lajmërohen në Sektorin e Menaxhimit të Mbeturinave në Komunën e Prizrenit. Këto aktivitete kanë të bëjnë me sensibilizimin e qytetarëve për rregullat e shkarkimit të mbeturinave dhe llojin e tyre”, thuhet në njoftimin e komunës.