Ilustrim

Të akuzuarit për mashtrim me viza të rreth 500 kosovarëve presin vendimin e gjykatës

Procesit gjyqësor kundër të akuzuarve për mashtrim të rreth 500 kosovarëve për viza pune në Gjermani i ka ardhur fundi.

Tre të akuzuarit e këtij rasti Flamur Hoxha, Besim Rexhaj dhe Veprim Rexhepi janë në pritje të vendimit final të Gjykatës së Prizrenit të enjten më 9 janar.

Besim Rexhaj dhe Flamur Hoxha akuzohen nga Prokuroria Speciale se së bashku kanë kryer tri vepra penale, mashtrim, shpërlarje  të parave, dhe falsifikim të dokumenteve.

Prokuroria Speciale e Kosovës në një aktakuzë 100 faqëshe pretendon se Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj kanë mashtruar një numër shumë të madh të qytetarëve të Kosovës, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, duke ia marrë 489 personave shumën prej 2.500 – 3.000 euro, dhe duke mos i punësuar fare në Gjermani.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Veprim Rexhepi, sipas aktakuzës, në vazhdimësi ka kryer falsifikimi të dokumenteve

I bindur se tre të pandehurit kanë kryer këto vepra penale, Prokurori Special Afrim Shefkiu kërkoi të hënën para trupit gjykues dënimin e tyre dhe kompensimin e viktimave.

“Gjendja faktike si në aktakuzë është vërtetuar nga provat e administruara në gjykim, andaj kërkojmë që të akuzuarit të shpallën fajtorë dhe të dënohen me një dënim meritor, njëkohësisht të konfiskohen sendet e sekuestruara, si dhe të detyrohen që të bëjnë  kompensimin e të dëmtuarve”, tha Prokurori.

Ndryshe nga Prokurori Special mendojnë avokatët e të akuzuarve. Ata  akuzën e prokurorisë e  cilësojnë të pabazuar dhe kërkojnë lirimin e klientëve të tyre.

Mbrojtësi i të akuzuarit Flamur Hoxha, avokati Ruzhdi Gashi në fjalën e tij të fundit në këtë gjykim paraqiti arsyejet se pse gjykata duhet ta lirojë klientin e tij.

“Nga provat që i ka ofruar prokuroria dhe të cilat janë shqyrtuar të gjitha një nga një nuk rezulton se aktakuza është e provuar dhe e mbështetur në prova por nga ato që u shqyrtuan në gjithë këtë seancë vërtetohet e kundërta, se veprat penale për të cilat ngarkohen dhe provat që I ka sjellë prokuroria nuk ka asnjë element që i bihet në barrë të mbrojturit tonë”, deklaroj Gashi.

Aktgjykimin lirues e kërkoi edhe avokati Miftar Qelaj i cili e mbron Besim Rexhajn.

Qelaj deklaroj në Gjykatë se klienti i tij është mashtruar nga i akuzuari Flamur Rexhaj dhe se nuk ka qenë në dijeni se veprimet e tij nuk janë të ligjshme.

“Klienti im ka vepruar duke menduar se veprimet e tij janë të ligjshme, dhe nuk janë të rreme dhe se ka qenë vet i mashtruar nga Flamur Hoxha, dhe pasi ka kuptuar se dokumentacionet nuk janë të rregullta, ai ka kërkuar nga familjaret e tij që ta denoncojnë Flamurin”, ka thënë avokati Qelaj.

 

Ai i kërkoi gjykatës që ta lirojë klientin e tij duke e cilësuar aktakuzën të paargumentuar.

“Nga krejt provat e administruara padyshim që janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për të marrë aktgjykim lirues për të mbrojturin tim”, përfundoj avokati Qelaj.

Pafajësinë nga Gjykata në fjalën e tij përfundimtare e kërkoi edhe i akuzuari për falsifikim të dokumenteve Veprim Rexhepi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të akuzuarit Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj në periudhën kohore qershor 2016 deri në muajin gusht 2017, në Prizren…pasi që më parë kanë pranuar mjete monetare të shumta dhe duke i mashtruar një numër shumë të madh të qytetarëve të Kosovës, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, duke përfituar me anë të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve nga secili i dëmtuar shumën prej 2.500 – 3.000 euro, ku numri i të dëmtuarve është 489.

Gjithnjë sipas aktakuzës të njëjtit fare nuk i kanë punësuar të dëmtuarit në Gjermani, duke fshehur fonde në fjalë, transferuar ato te persona të tjerë, pastaj duke shtresuar pasurinë e paligjshme përmes blerjes së pronave të luajtshme – vetura të shtrenjta, apo të paluajtshme shtëpi dhe banesa.

Kështu të njëjtit kanë përvetësuar shumën prej 1,220,175,00 euro, nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775,00 euro.

Në këtë rast aktakuzën e përfaqëson Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dhe lënda është një prej rasteve të shënjestruara për liberalizimin e vizave.

Gjykimi për vizat gjermane, të akuzuarit nuk pranojnë t’ua kthejnë paratë të mashtruarve