Foto: KALLXO.com

Gjykimi për mashtrim me viza pune të rreth 500 kosovarëve, dëshmoi eksperti

Shumë qytetarë  të papunë por edhe bujq, studentë, mjekë e profile të tjera nga krejt Kosova ia mësynë shkollës profesionale “DBBS” në Prizren, për të ndjekur trajnime dhe kurse të ndryshme.

Përkundër shumës së lartë prej 2 mijë e 500 deri në 3 mijë euro, këta qytetarë besuan se pas përfundimit të trajnimit do të punësoheshin në Gjermani.

Mirëpo, edhe pas 8 muajsh trajnime e zanate të ndryshme, rreth 500 qytetarë në përfundim të kësaj shkolle mbetën të zhgënjyer e të dëmtuar. Ata, nuk kishin arritur të merrnin kontratat e punës e as vizën e premtuar për në Gjermani.

Lidhur me këtë çështje, Prokuroria Speciale më 20 gusht 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Flamur Hoxhës, ish-drejtor në “DBBS”, Besim Rexhajt dhe Veprim Rexhepit se në vazhdimësi dhe bashkëkryerje kanë kryer veprën penale shpëlarje parash, mashtrim, falsifikim të dokumenteve dhe shmangie nga tatimi.

Kështu, të njëjtit nga Prokuroria u akuzuan se kanë përvetësuar shumën prej mbi 1 milion euro e nga kjo kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1,068,775,00 euro.

Për këto akuza, Gjykata në Prizren me 9 janar 2020 me vetëm 10 vite e gjysmë burgim i kishte dënuar 3 të akuzuarit e lartcekur për mashtrim të rreth 500 Kosovarëve për viza pune në Gjermani.

Flamur Hoxha, ishte dënuar me 6 vite burgim dhe 21 mijë euro, ndërsa Besim Rexhaj me 4 vite burgim dhe 12 mijë euro.

Ndaj të akuzuarve ishte shpallur edhe dënimi plotësues, ku Flamur Hoxhës i konfiskohet një shtëpi, një veturë “BMW X5”, si dhe një “Audi”, kurse të akuzuarit Rexhaj i konfiskohet një banesë me garazh, si dhe një veturë e tipit “Polo”

I akuzuari i tretë, Veprim Rexhepi, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht për falsifikim të dokumenteve.

Mirëpo, vendimi i Themelores nuk e gjeti mbështetjen e Apelit, pasi kjo gjykatë e shkallës së dytë me 28 shtator 2020, vendosi që çështjen ta kthejë në rigjykim.

Gjykimi ndaj dy të akuzuarve Flamur Hoxhës dhe Besim Rexhaj po vazhdon të mbahet në Gjykatën e Prizrenit.

Në seancën e sotme, të akuzuarit Flamur Hoxha Gjykata i kishte caktuar një avokat sipas detyrës zyrtare pasi i njëjti kishte deklaruar se ishte i papunë dhe nuk kishte kushte që të paguante avokatin.

Tutje në gjykim u pasua me fjalën hyrëse të palëve, më pas gjykimi vazhdoi me dëshminë e ekspertit financiar.

Eksperti Vehbi Imeri u mor në pyetje nga mbrojtësi i të akuzuar Flamur Hoxha, Besim Koqinaj.

Eksperti Imeri në seancë deklaroi se nga ana e tij ishte përpiluar ekspertiza e parë dhe e dytë ndërsa plotësimi i ekspertizës ka qenë për sqarimin e pronarit të bizneseve.

Tutje, ai sqaroi se për shumën prej 500 mijë euro e cila ishte në formë të investimeve në shkollën “DBBS”, eksperti tha se të hyrat fillimisht  do të duhej t’i nënshtrohen pagesës së tatimeve.

Eksperti përpara trupit gjykues shtoi se gjatë kontrollit tatimor do të duhej të prezantoheshin të gjitha të dhënat dhe dokumentet të cilat janë relevante për kryerjen e një kontrolle tatimore dhe nëse dokumentet nuk dorëzohen në kohë nuk merren për bazë nga Agjencia Tatimore e Kosovës.

Kurse, sa u përket 413 faturave që i janë tatimuar të akuzuarit Flamur Hoxha, eksperti deklaroi se  ATK i ka marrë për bazë si dhe detyrimet tatimore sa i përket tatimit të vlerës së shtuar rrjedhin nga qarkullimi i padeklaruar dhe i paregjistruar në libra dhe regjistrimit të subjektit.

Eksperti Imeri tha se shuma totale e tatimit të padeklaruar nga ana e të akuzuarit Hoxha sipas plotësimi të ekspertizës është në vlerë prej 121 mijë e 907 euro e 32 centë.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në këtë link.