Ikballe Huduti në gjykatore, duke pritur fillimin e seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj saj - 09.01.2020

Anulohet seanca fillestare ndaj kosovares të akuzuar që doli kundër vrasjes së gjeneralit iranian

Në Gjykatën e Prishtinës është anuluar seanca e shqyrtimit fillestar në gjykimin ndaj Igballe Berisha- Hudutit, e cila akuzohet nga Prokuroria Speciale për shtytje në veprat terroriste.

Në aktakuzë thuhet se përmes rrjetit social “Facebook”, në llogarinë në emër Ikballe Berisha Huduti në Prishtinë, me paramendim dhe me dashje ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria amerikane të Qassem Solejmanit, gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi.

Shkaku i anulimit të seancës ishte mos prezenca e prokurorit Afrim Shekfiu.

Për KALLXO.com mbrojtësi i të akuzuarës ,avokati Asdren Hoxha, ka thënë se ishte njoftuar nga Gjykata se seanca  e sotme është anuluar për shkak se prokurori kishte qenë i zënë.

Kurse i njëjti ka treguar se seanca e radhës në këtë rast është caktuar për datën 30 tetor.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 shtator 2020  nga Prokuroria Speciale e Kosovës, me datë 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook”, në llogarinë në emër Ikballe Berisha- Huduti në Prishtinë është postuar teksti si në vijim:

“Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjeherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë qe iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralëve të tyre Gjeneral Sulejmani dhe Gjeneral Ebu MehdiMuhendisi. Zoti i dhasht durimin ngase të mbysësh zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim por nuk ka kufi”.

Sipas prokurorisë ajo në këtë mënyrë ka shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të këtilla të kryhen.

Kosovarja që doli kundër vrasjes së gjeneralit iranian, del para gjyqit