Tajani: Italia është në dispozicion të Kosovës e Serbisë për të gjetur zgjidhje

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka thënë se e sheh si gjest pozitiv vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e shqiptimit të gjobave për veturat me targa ilegale për 48 orë.

Ai ka thënë se udhëtimi i tij në Kosovë e Serbi është mesazh që Italia përkrah të dyja vendet për të arritur një mesazh kompromisi.

“E kam vlerësuar vendimin e Kosovës për të shtyrë për 48 orë dhënien e gjobave për targa, është sinjal i gatishmërisë. Sot në mëngjes kam dëgjuar për gatishmëri edhe nga ana e Serbisë. Prandaj duhet të mbështesim këtë gatishmëri. Jemi në dispozicion të Kosovës dhe Serbisë për të bërë gjithçka që është e mundur për të gjetur një zgjidhje”-ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm i Italisë pas takimit me homologen e tij kosovare Donika Gërvalla ka thënë se vendimin për shtyrje të fazës së gjobitjes për 48 orë e ka parë si një mesazh gatishmërie për dialog.

Tajani tutje ka thënë se nuk duhet krijuar probleme të reja në Ballkan.

“Ne nuk e mbështesim një palë kundër palës tjetër. Ne duam që në hapësirën e Ballkanit problemet të zgjidhen dhe të mos rriten” – ka thënë tutje ai.

Ky takim i Tajanit vjen një ditë pas takimit trepalësh në Bruksel, i cili përfundoi pa marrëveshje për çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë dje se BE ka dhënë një propozim i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në anën tjetër, Kurti pas takimit trepalësh në Bruksel ka thënë se  Borrell ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Mbrëmë pak pas mesnatës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë fillimin e shqiptimit të gjobave për qytetarët që përdorin targa ilegale të automjeteve, si fazë e dytë e vendimit qeveritar për këtë çështje.