Italia i jep mbështetje propozimit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar zëvendëskryeministrin, njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani.

Sipas një komunikate për media, Kurti ka falënderuar zëvendëskryeministrin Tajani për mbështetjen e Italisë, bashkëpunimin e afërt ndër vite dhe kontributin e vazhdueshëm për demokratizim dhe zhvillim të Ballkanit Perëndimor.

“Diskutuan për mënyrat e thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Italisë. Gjithashtu folën për mundësitë që Kosova ofron për investitorët e huaj, përkatësisht Italian dhe për përfitimet që mund të sjellë për të dy vendet forumi ekonomik italian në Kosovë, e i cili pritet të organizohet gjatë këtij viti”- thuhet në komunikatë.

Në njoftim është bërë e ditur se përveç bashkëpunimit në rrafshin ekonomik, temë diskutimi ishte edhe për format e bashkëpunimit bilateral në fusha tjera si ajo e sigurisë dhe mbrojtjes.

Në takim gjithashtu u diskutua edhe për procesin e dialogut dhe për propozimin evropian që krahas Gjermanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një komunikatë thuhet se ka mbështetjen edhe të Italisë.