Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri u bën thirrje deputetëve të pozitës e opozitës që t'i japin mbështetje rezolutës për rritjen e koeficientit të pagave

Me ftesë të grupit parlamentar të AAK-së, nesër deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë seancë të jashtëzakonshme për të debatuar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave.

Tahiri përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se është momenti i fundit që gjithë deputetët me votën e tyre t’i japin mbështetje rezolutës për rritjen e pagave.

Sipas tij, nga muaji në muaj qytetarët po shohin se si luajnë çmimet e artikujve bazikë për 10%, 20% apo 50%.

“Për shumë, kjo është thyerje dhe zhgënjim. Janë shumë familje që nuk arrijnë as të mbyllin muajin. Të tjerët detyrohen t’i kufizojnë shërbimet për fëmijët e tyre. Të moshuarit varen edhe më shumë nga përkrahja familjare e sociale. Prindërit nuk ia arrijnë t’ia dalin dhe as ta balancojnë nevojën për më shumë angazhim për pak më shumë të hyra, me nevojën për më shumë përkushtim ndaj jetës familjare. Të rinjtë ikin duke mos parë perspektivë zhvillimi dhe standardi për ta”- ka shkruar ai.

Tahiri ka njoftuar se AAK përmes debatit propozon që të ndahet buxhet për rritje të koeficientit në minimum 129 euro.

Kuvendi mban nesër seancë të jashtëzakonshme lidhur me kërkesën për ngritjen e koeficientit të pagave