Tahiri: Ligji i Pagave shpëton nga dërgimi në Kushtetutese nëse koeficinti është 129 euro

Kryetari i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga qeveria që sa më parë të bëj publik koeficientin e Ligjit për paga për zyrtarët publikë.

Ai ka thënë se AAK kërkon që vlera e koeficientit të këtë shumën 129 euro. Madje, Tahiri ka theksuar se nëse koeficienti do të ketë vlerë 129 euro, do të shpëtojë nga dërgimi në Gjykatën Kushtetuese.

“Ligji i Pagave shpëton nga kontestimi i Kushtetuteses nëse vlera e koeficientit është 129 euro, AAK nuk e ka qëllim që ky Ligj të rrëzohet, prandaj kërkesa për Kryeministrin dhe Qeverinë është që vlera e koeficientit sa më parë të jetë publike dhe të ketë shumën prej 129 euro” – ka thënë ai.

Tahiri tutje ka thënë se është e papranueshme që punëtorëve të sektorit public të mos u tregohet vlera e koeficientit.

“Është e papranueshme që 80 mijë punëtorë të jenë në ethe dhe të mos e dinë pagën e tyre. Është e papranueshme të mos caktohet vlera e koeficientit, tani kur ligji është në fuqi dhe i nënshkruar nga presidentja” – ka thënë ai.

Sipas tij, qëllimi i AAK-së nuk është ta rrëzojë ligjin.

“Procesi i konsultimit për këtë ligji kurrë nuk ka qenë më i dobët. Komentet e organizatave kredibile ndërkombëtare nuk kanë qenë në platformën e konsultimit”- ka shtuar ai.

Vlera e koeficientit përmes të cilit caktohen pagat e zyrtarëve publikë ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse Ligji për Pagat më 5 janar është publikuar në gazetën zyrtare pas dekretimit nga presidentja. Ky ligj pritet të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në gazetën zyrtare.

Nga Qeveria e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se vlera monetare e koeficientit pritet të caktohet gjatë këtij muaji.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave” – ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 22 dhjetor 2022.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.