Abelard Tahiri

Tahiri: Legjislatura e Kuvendit, në kaos

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë se legjislatura e Kuvendit është në kaos.

Kjo pasi sipas tij, janë rreth 50 pika te pa përfunduara nga viti i kaluar.

“Këtë legjislaturë po e karakterizion një kaos paralmentar, kemi diku 50 pika të papërfunduara nga viti i kaluar. Kjo tregon që LVV-ja është duke pasur probleme me menaxhimin” – tha ai.

Tahiri foli edhe për disa pika konkrete të punës së Kuvendit.

“Një prej këtyre 50 pikave është edhe Strategjia për energji dhe ende nuk ka kaluar prej dhjetorit të vitit të kaluar. Jemi duke përgatitur kallëzim penal për gjetjet e raportit të Komisionit Hetimor parlamentar për energjinë”- tha ai.

Deputeti opozitar ka kritikuar edhe kryeministrin Albin Kurti në raport me SHBA-të. Tahiri shtoi se në Mynih të Gjermanisë qeveritarët nuk kanë pasur takime të larta me zyrtarë amerikanë.

“Është shqetesuese që qeveritarët janë injoruar nga Blinken [Antony Blinken]. Është një mesazh i qartë për [Albin] Kurtin e [Vjosa] Osmanin. Është hera e parë që drejtuesit e shtetit të Kosovës nuk arrin me u taku me drejtues të niveleve të larta të Amerikës. Një javë para takimit në Bruksel ai takohet me [Aleksandar] Vuçiqin e të mos takohet me Kurtin është sinjal jo i mirë” – tha Tahiri.

Tutje ka shtuar se “në planin franko-gjerman nuk e kemi diskutar me qeveritë e kaluara dhe Kurti ka qenë shumë i pa sinqertë kur e kemi pyetur për kontributin e tij në këtë marrëveshje”

“Nga anagazhimi i tij, më vjen keq ta them, sot Kosova është në një pozitë shumë të pafavorshme sepse të gjithë ata miq që kemi pasur duket që nuk i kemi në krah. Se si ka arrit Kurti me sjell situatën të tillë”.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas njoftimit, të dy palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.