Tahiri flet për emërimin e drejtorëve të rinj, pas shkarkimit të drejtorëve të VV-së

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri gjatë ditës së premte ka njoftuar se koalicioni i partisë së tij me Lëvizjen Vetëvendosje ka përfunduar.

Këto dy parti kanë qeverisur me Komunën e Vushtrrisë nga zgjedhjet lokale të 2017-tës.

Sipas Tahirit deri të ky vendim ka ardhur mos votimi i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike nga Lëvizja Vetëvendosje në mbledhjen e asamblesë të mbajtur të enjten.

Pas përfundimit të koalicionit, Tahiri njoftoi se ka shkarkuar nga detyra edhe drejtorët e drejtorive nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Me vendim të kryesisë së degës së Lidhjes Demokratike në Vushtrri kam liruar nga detyra bartësit e detyrave që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje. Për fat të keq me këtë rast edhe me këtë akt përfundon edhe koalicioni tre vjeçar në Komunën e Vushtrrisë”, ka deklaruar Tahiri në një konferencë për media të premten.

KALLXO.com ka kontaktuar sot me Tahirin, për të kuptuar se kur do të emërohen drejtorët e rinj të drejtorive, të cilat deri të premten janë drejtuar nga drejtorëve e Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, Tahiri ka thënë se drejtorët nuk do të emërohen deri pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Është një situatë për të cilën nuk është se jemi përgatitur, por mendojmë se drejtorët e rinj do të emërohen pas zgjedhjeve të 14 shkurtit”, ka thënë Tahiri për KALLXO.com.

Në komunën e Vushtrrisë, nga Lëvizja Vetëvendosje janë drejtuar gjashtë drejtori, Drejtoria e Administratës nga Mehmet Selaci, Drejtoria për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural nga Miran Halili, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport nga Fatmire Cecelia, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim nga Bajrush Kosumi, Drejtoria për Shërbime Publike nga Refik Maloku, dhe Drejtoria për Shëndetësi nga Sylejman Meholli.

KALLXO.com ka raportuar për prishjen e koalicionit mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri.

LDK prish koalicionin me LVV-në në Vushtrri