Tahiri: Është e pakuptimtë mos të sjellet në Kuvend Ligji i pagave

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se është e pakuptimtë që të mos sjellet Ligji i pagave në Kuvend.

“Është e pakuptimtë mos me u sjell në Kuvend Ligji i pagave. Ligji i pagave është në planin legjislativ tash e një vit e gjysmë dhe për ketë arsye kemi kërkuar interpelancë”, ka thënë ai.

Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars, ndërsa ende nuk dihet se kur mund të shkojë për miratim në Qeveri e pastaj në Kuvend.

Tahiri ka shtuar se në kryesi, pos kësaj ka ngritur edhe një çështje tjetër që lidhet me Ligjin për zyrtarë publikë.

“Po ashtu, edhe Ligji për zyrtarë publikë, të dhënat qe ne i kemi si çështja e punësimit diku janë 3,000 vende të punës qe nuk po mbushen si shkak i vendimeve të Qeverisë”, ka thënë Tahiri.

Para deklarimit të Tahirit është deklaruar edhe shefja e e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Sipas saj, sa i përket Projektligjit për pagën minimale ai është në shqyrtim të rregullt dhe nuk ka paralajmërim që do të jetë në rend ditë të seancës tjetër.

Ajo tutje ka thënë se është caktuar që gjatë kësaj jave të mbahen dy seanca plenare.

Sipas Kusari-Lila seanca e re do të mbahet më 28 korrik 2022 në ora 10:00.

“Një seancë e re me 28 korrik në ora 10:00 në të cilën parashihet marrëveshja IPA 3, do të jetë edhe rregullorja e punës së Kuvendit në leximin e dytë”, ka thënë ajo.

Sipas Kusari-Lila, shefat e grupeve parlamentare janë dakorduar që në këtë seancë të shqyrtojnë në lexim të dytë edhe projektligjin për financime politike.

Tutje ajo ka treguar se seanca e dytë është planifikuar që të mbahet vetëm një ditë pas asaj të parës, pra të premten, ku do të shqyrtohen pika të papërfunduara.

“Seanca e ditës së premte do të përfshijë shqyrtimin e pikave të pa përfunduara, me disa pika dhe debati për mosliberalzimin e vizave me të cilën do të fillojë seanca”, ka thënë Kusari-Lila.