Sveçla: Në kohën kur Serbia financon terrorizmin, i domosdoshëm investimi në të ardhmen e sigurtë të vendit tonë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka marrë pjesë sot më 17.06.2024 në panairin e industrisë së mbrojtjes, sigurisë dhe teknologjisë “Eurosatory 2024”.

Nga Parisi i Francës, Sveçla thotë se këto kohë janë të rënda e me shumë sfida për demokracinë e sigurinë.

“Një qeveri si ajo e Serbisë që mbështet dhe financon terrorizmin, investimi në të ardhmen e sigurtë të vendit tonë është domosdoshmëri” – shkruan mes tjerash Sveçla në rrjetin social “Facebook”.

Ai ka njoftuar se në Paris është me drejtorin e përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha, zëvendësministrin e Mbrojtjes Shemsi Syla, ambasadorin Mehdi Halimi si dhe me ekipet e FSK-së dhe Policisë.

Në po të njëjtin panair “Eurosatory 2024” u prezantua edhe “Shota”, makina e parë ushtarake e Shqipërisë.

Shqipëria merr pjesë për herë të parë e përfaqësuar nga një kompani 100% shqiptare në këtë panair, ku marrin pjesë rreth 2 mijë kompani nga e gjithë bota.

Eurosatory është ekspozita më e madhe ndërkombëtare për industrinë e mbrojtjes tokësore dhe ajrore dhe të sigurisë.

Ekspozita mbahet çdo dy vjet në Qendrën e Ekspozitës Paris-Nord Villepinte, Paris, Francë.

Në vitin 2022, mblodhi mbi 1,700 ekspozues dhe afërsisht 62,000 vizitorë nga 150 vende.

‘Shota’ – Makina e parë ushtarake e Shqipërisë prezantohet në Paris