Sveçla: Mbyllen gjashtë njësi të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare e Kursimeve’ në veri të vendit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se janë mbyllur gjashtë njësi të të ashtuquajturës “Bankë Postare e Kursimeve” (Banka Postanske Stedionica).

Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës.

“Me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës ka realizuar sot operacionin e kontrollit dhe mbylljes së 6 njësive të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës”- ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sveçla ka theksuar se shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi për të cilin janë zotuar në vazhdimësi.

“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi. Përgëzoj të gjitha institucionet për bashkëpunimin dhe suksesin e treguar”- ka thënë ministri.

Banka Qendrore e Kosovës më 13.05.2024 ka bërë të ditur se e ka përmbyllur periudhën tremujore transitore për zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

BQK thotë se i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Më 01.02.2024 në Kosovë hyri në fuqi një Rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar edhe takime në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Me Rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave.