Sveçla: Jemi në dispozicion të KQZ-së, jam i sigurt që zgjedhjet në veri do të kalojnë me sukses

Më 23 prill është paraparë të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se është e rëndësishme që zgjedhjet të mbahen në një situatë të qetë dhe të sigurtë.

“Sa i takon çështjeve të zgjedhjeve, Policia e Kosovës dhe institucionet tjera janë në dispozicion të KQZ-së. Për ne është e rëndësishme që zgjedhjet të mbahen në një situatë të qetë, të sigurtë, qoftë për organizatorët dhe qytetarët atje” – ka thënë ai.

Sveçla tha se është i sigurt që procesi do të përfundoj i qetë, i suksesshëm dhe duke tejkaluar problemet atje.

Gjatë raportimit në komisionin për Integrim Evropian ai ka thënë se që nga përfundimi i luftës gjendja në veri nuk ka qenë e mirë.

“Që nga përfundimi i luftës gjendja në veri nuk ka qenë e mirë. Gjendja ende nuk është e kënaqshme. Por, kemi prezencë të strukturave të sigurisë si kurrë më parë atje, kemi sundim të ligjit si kurrë më parë atje dhe patjetër që kemi edhe sfida”- është shprehur ai.

Ai ka thënë se që institucionet janë duke vazhduar me procesin e organizmit të zgjedhjeve.

Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri janë paraparë të mbahen më 23 prill të këtij viti.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pasi tha se nuk janë përmbushur kërkesat që e shtynë të largohet nga institucionet e vendit.