Studiuesit e Quebec thonë se kanë gjetur një ilaç efektiv për ta luftuar COVID-19

Ekipi i studiuesve nga Instituti i Zemrës në Montreal besojnë se kanë gjetur një armë efektive kundër COVID-19: colchicine, një tabletë orale tashmë e njohur, e cila është përdorur për sëmundje të tjera.

Për Dr. Jean-Claude Tardif, i cili drejton këtë studim, “ky është një zbulim i madh shkencor”.

“Colchicine është ilaçi i parë oral i efektshëm për të trajtuar pacientë jashtë spitalit”, tha ai, raporton montreal.ctvnewsca.

“Të jemi në gjendje ta ofrojmë këtë, nga Quebec dhe për planetin, ne jemi shumë të lumtur,” tha Tardif.

Studimi i ColCorona përfshiu 4,159 pacientë, diagnoza e COVID-19 të cilëve u ishte konfirmuar nga një test nazofaringeal (PCR).

Analiza e studimit zbuloi se colchicine rezultoi me uljen e numrit të të shtruarve në spital për 25 për qind, me uljen e nevojës për ventilim mekanik për 50 për qind dhe të vdekjeve për  44 për qind.

“Kjo është shpresa e parë për pacientët që kanë COVID, të cilët janë të shqetësuar dhe që shpresojnë se nuk do të kenë komplikime”, tha Tardif. “Më parë, nuk kishte tableta që mund të merreshin përmes gojës dhe të zvogëlonin rreziqet”.

Tardif tha se beson se përshkrimi i ilaçit mund të ndihmojë në uljen e mbingarkesës në spitale shpejt dhe në uljen e kostove të kujdesit shëndetësor në Quebec dhe gjetiu, raporton montreal.ctvnewsca.