Stoltenberg: Komentet e ish presidentit Trump mund ta vënë në rrezik SHBA-në dhe BE-në

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se çdo sulm ndaj koalicionit ushtarak perëndimor do ta shkaktonte një reagim të unifikuar dhe të fuqishëm. Deklarata e Shefit të NATO-s erdhi pasi ish-presidenti Donald Trump sugjeroi se Rusia duhet t’i shënjestërojë vendet anëtare të NATO-s të cilat ai beson se nuk po i përmbushnin detyrimet e tyre financiare ndaj aleancës.

Gjatë një fjalimi 70-minutësh në Harrisburg, Pensilvani, Trump kujtoi se i ka thënë një udhëheqësi të paidentifikuar të shtetit evropian në një takim të papërcaktuar të NATO-s, ndërkohë që ai ishte president se SHBA nuk do ta mbronte asnjë vend që ishte “delikuent”.

“Një nga presidentët e një vendi të madh u ngrit dhe tha: ‘Epo, zotëri, nëse nuk paguajmë dhe sulmohemi nga Rusia, a do ta na mbroni ne?’ – citohet të ketë thënë Trump.

“I thashë: “Nuk ke paguar, je delikuent?” Jo, nuk do të të mbroja. Në fakt, unë do t’i inkurajoja ata të bëjnë çfarë të duan. Duhet të paguash. Duhet t’i paguani faturat tuaja”- ka thënë Trump gjatë fjalimit të tij elektoral në Pensilvani.

Stoltenberg e nënvizoi rëndësinë kritike të mbrojtjes së ndërsjellë midis aleatëve të NATO-s, duke theksuar se çdo nënkuptim se shtetet anëtare nuk do t’i vijnë në ndihmë njëri-tjetrit e minon sigurinë e të gjithëve, përfshirë Shtetet e Bashkuara, dhe i vë ushtarët amerikanë dhe evropianë në rrezik më të madh. Ai shprehu besimin se pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një aleat i palëkundur dhe i përkushtuar brenda NATO-s.

Shefi i NATO-s e ka konfirmuar gatishmërinë dhe aftësinë e aleancës për t’i mbrojtur të gjithë anëtarët e saj kundër çdo kërcënimi. Në të kundërt, vërejtjet e Trump në një tubim elektoral në Karolinën e Jugut, ku ai sugjeroi inkurajimin e sulmeve ruse ndaj aleatëve të NATO-s që dështojnë t’i përmbushin angazhimet e tyre financiare, u dënuan nga Shtëpia e Bardhë si “të tmerrshme dhe të pamohueshme”.

Skepticizmi i Trump ndaj NATO-s dhe hezitimi i tij për t’i mbështetur aleatët financiarisht ose ushtarakisht ka qenë prej kohësh i dukshëm. Ai ka vënë në pikëpyetje më parë domosdoshmërinë e ndihmës për Ukrainën përballë agresionit rus dhe ka shprehur dyshime për qëllimin dhe efikasitetin e NATO-s, një aleancë prej 31 vendesh e zotuar për mbrojtje reciproke.

Kritikët kanë theksuar se qasja e Trump i minon parimet themelore të solidaritetit dhe sigurisë së NATO-s. 

Shtëpia e Bardhë, përmes zëdhënësit Andrew Bates, i ka denoncuar ashpër komentet e Trump, duke deklaruar se inkurajimi i pushtimeve të aleatëve të NATO-s nga regjimet armiqësore është jo vetëm i pamatur, por edhe rrezikon sigurinë kombëtare amerikane dhe stabilitetin global.

Traktati i NATO-s përfshin një dispozitë për mbrojtjen e ndërsjellë, duke siguruar që shtetet anëtare t’i vijnë në ndihmë njëri-tjetrit në rast të një sulmi. Në vitin 2014, anëtarët e NATO-s u angazhuan për t’i rritur shpenzimet e mbrojtjes në 2% të PBB-së deri në vitin 2024, në përgjigje të aneksimit të Krimesë nga Rusia. Që nga viti 2022, shtatë nga 31 vende anëtare të NATO-s e përmbushnin këtë detyrim.

Skepticizmi i Trump ndaj NATO-s dhe vënia në dyshim e rëndësisë dhe barrës së saj financiare për Shtetet e Bashkuara kanë qenë tema të qëndrueshme që nga fushata e tij presidenciale e vitit 2016. Pavarësisht rolit vendimtar të NATO-s në mbështetjen e aleatëve dhe ruajtjen e sigurisë në Evropë, retorika e Trump shpesh e ka minuar besueshmërinë dhe kohezionin e saj, duke ngritur shqetësime midis aleatëve dhe ekspertëve./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala