Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit në Ferizaj

Spitali i Ferizajt përgatitet për ‘valën e dytë’ të COVID-19

50 raste me COVID-19 janë regjistruar sot në qytetin e Ferizajt, përderisa në nivel vendi u regjistruan 637 raste.

Drejtori i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Jeton Zeqiri, tha se janë duke u përgatitur në rast se numri i rasteve shënon rritje dhe Spitali nuk ka kapacitete t’i trajtojë të gjithë.

Zeqiri për KALLXO.com tha se kanë plane për të siguruar një hapësirë tjetër, edhe pse aktualisht ne Spital janë 25 vende të lira për hospitalizim të pacientëve me COVID-19.

“Kemi plane por duhet të i shohim mundësitë, cila është më e përshtatshme. Për nesër kam thirrë Shtabin Emergjent për të diskutuar për gjetjen e hapësirave tjera. Unë tash i kam edhe 25 vende të lira që mundem me i hospitalizu, në rast se eskalon situata duhet të gjejmë alternativa tjera”, tregoi Zeqiri.

Zeqiri tutje theksoi se kanë në plan që të marrin për shfrytëzim ndonjë objekt të QKMF-së, por ai thotë se duhet të furnizohen.

“Trajtimi i COVID-19 është terapia dhe oksigjenimi, një bocë e oksigjenit mundet me u shfrytëzy për 10 pacientë nuk na pengon në trajtim të pacientit, mirëpo ne duhet të sigurojmë oksigjenin dhe terapinë “, potencoi drejtori.

Aktualisht në Spitalin Regjional  të Ferizajt janë 12 respiratorë.

Zeqiri gjithashtu ka theksuar se për shkak të mungesësë së stafit shëndetësor nuk arrijnë të kryejnë shërbime intensive.

Mungesa e stafit pamundëson ofrimin e shërbimeve intenzive në Spitalin e Ferizajt