Foto: KALLXO.com

Spanjë: Një hetim zbulon se më shumë se 200 mijë fëmijë mund të jenë abuzuar në institucionet katolike

Pas vitesh protestash ndaj abuzimeve seksuale nga stafi i kishës dhe njerëzit laikë, qeveria spanjolle më në fund ka ndërmarrë veprime për ta ekspozuar realitetin e problemit.

Më shumë se 200,000 të mitur mund të jenë abuzuar seksualisht nga klerikët në Spanjë, sipas një vlerësimi të publikuar të premten nga një komision i pavarur hetimor për abuzimin seksual të fëmijëve në Kishën Katolike, shkruan Euronews.

Raporti nuk jep shifra të sakta, por përmban një anketë me më shumë se 8,000 njerëz që vlerëson se 0.6% e popullsisë së rritur të Spanjës prej afro 39 milionë banorësh mund të jenë sulmuar seksualisht nga klerikët gjatë kohës sa ishin të mitur.

Një numër pak më i vogël i spanjollëve (0.53%) u ka thënë anketuesve se ishin sulmuar seksualisht si të mitur nga persona laikë që punonin në institucionet fetare.

Këto vlerësime janë pjesë e një raporti të dorëzuar në Kongresin Spanjoll të Deputetëve të premten nga Avokati i Popullit, Ángel Gabilondo, pas punës së komisionit të pavarur – i pari në Spanjë i ngritur për ta vlerësuar shkallën e krimit pedofil në Kishën Katolike.

Raporti është kritik ndaj qëndrimit të Kishës Katolike, duke e dënuar reagimin e saj “të pamjaftueshëm” ndaj rasteve të abuzimit të fëmijëve brenda institucioneve të saj.

Ndër masat e propozuara në raport është themelimi nga shteti i një fondi për pagesën e dëmshpërblimeve për viktimat.

Gabilondo tha në një konferencë për media se rastet kanë të bëjnë kryesisht me periudhën “nga viti 1970 deri në ditët e sotme”.

Presion i patejkalueshëm

Ndryshe nga Franca, Gjermania, Irlanda dhe SHBA, Spanja, një vend me një traditë të fortë katolike, nuk ka urdhëruar asnjëherë më parë një hetim të pavarur mbi plagën e abuzimit të klerikëve, edhe kur realiteti i tij u bë një çështje e zemërimit publik.

Deputetët spanjollë kërkuan ta korrigjojnë këtë situatë në mars të vitit 2022 duke ngritur një komision ekspertësh për të “hedhur dritë” mbi “aktet e tmerrshme personale të kryera kundër fëmijëve të pambrojtur” brenda Kishës Spanjolle.

Ata i besuan Avokatit të Popullit drejtimin e këtij komisioni, duke i dhënë objektiv përcaktimin e “përgjegjësisë” në rastet e dhunës seksuale, ofrimin e “dëmshpërblimit” të viktimave dhe parandalimin e rasteve të reja.

Për ta kryer punën e tij, komisioni u mbështet në ekspertët e ligjit dhe ndihmën ndaj viktimave, si dhe në dëshminë e vetë viktimave.

Pak para prezantimit të raportit, Konferenca e Ipeshkvijve të Kishës Katolike njoftoi se këtë të hënë do ta mbajë një asamble të jashtëzakonshme plenare, në të cilën peshkopët do të debatojnë raportin.

Kisha prej vitesh ka refuzuar çdo hetim të thelluar dhe nuk ka dashur të marrë pjesë në punën e komisionit. Megjithatë, ajo ra dakord që në mars t’i jepte komisionit informacion mbi rastet e abuzimit të fëmijëve të mbledhura nga dioqezat.

Përballë presionit politik në rritje dhe akuzave për pengim, Kisha e lartcekur e autorizoi auditimin e saj të jashtëm në shkurt të vitit 2022, besuar firmës ligjore Cremades & Calvo Sotelo. Një përmbledhje e gjetjeve të auditimit pritet të bëhet në muajin nëntor.

Kisha, e cila pretendon në mbrojtjen e saj se ka krijuar protokolle për trajtimin e dhunës seksuale, si dhe zyrat e “mbrojtjes së fëmijëve” brenda dioqezave, pranoi në qershor se kishte marrë dëshmi nga 927 viktima.

Megjithatë, kjo shifër ishte shumë më e ulët se 2206 viktima të regjistruara nga e përditshmja spanjolle El País, e cila krijoi bazën e saj të të dhënave në vitin 2018. Rastet më të hershme të regjistruara datojnë në vitin 1927.

El Pais i ka numëruar gjithashtu 1036 klerikë individualë të akuzuar për sulme seksuale ndaj të miturve.

“Sipas ekspertëve, kjo është vetëm maja e ajsbergut”, ka shkruar El País të premten.

Për krahasim, një komision i pavarur ka numëruar 216,000 fëmijë viktima që nga viti 1950 në Francë. Në Gjermani, një studim identifikoi 3,677 raste midis viteve 1946 dhe 2014, dhe në Irlandë, më shumë se 14,500 njerëz kanë marrë kompensim financiar përmes një mekanizmi të krijuar nga qeveria./Euronews