Sot lirohen nga Klinika Infektive 9 pacientë të shëruar nga coronavirusi

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive të QKUK-së sot gjenden të hospitalizuar gjithsej 51 raste dhe se prej tyre të sëmurë me COVID-19 janë gjithsej 36 raste.

MSh ka njoftuar se nga 36 pacientë të infektuar me COVID- 19, 28 raste janë në gjendje stabile, 7 raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive ndërsa në mjekim intensiv janë duke u trajtuar 2 pacientë në gjendje të rëndë.

“Në klinikë vazhdojnë trajtimin 4 raste të cilët kanë rezultuar negativ në testimet e fundit për COVID-19, ndërsa në pritje të rezultateve janë 2 raste të tjera të spitalizuara rishtazi”, thuhet në njoftim.

Sipas MSH-së, sot lirohen nga klinika 9 pacientë të shëruar nga infeksioni me coronavirus.

“Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, që nga data 8 prill nuk ka më raste të reja të infeksionit brenda spitalor”, vijon njoftimi.

Ministria bën të ditur se raporti është dhënë nga doktoresha Sadije Namani.

Në Kosovë deri më tani me COVID-19 janë infektuar 790 persona, janë shëruar 232, ndërsa kanë vdekur 22 pacientë.