Skenderaj - Fermerët e shqetësuar, nuk kanë ku ta shesin qumështin

Komuna e Skenderajt, njofton se kryetari Bekim Jashari, sot ka pritur në takim  Shoqatat e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit të  rajonit të Skenderajt.

Sipas njoftimit, qëllimi i këtij takimi ishte shqetësimi se fermerët e këtij rajoni qumështin e grumbulluar nuk kanë ku ta shesin për shkak të situatës së krijuar.

Njoftimi thotë se këto shoqata kanë kërkuar nga Komuna që t’i ndihmojë fermerët të shesin produktet e tyre në treg.

Nga njoftimi është bërë e ditur se kryetari Jashari, ka vendosur që t’i ndihmojë fermerët duke futur edhe produktet qumështore si qumështi, djathi dhe gjiza të futen në pakot ushqimore që do t’i dërgojnë familjeve në nevojë.

“Marrë parasysh që si komunë jemi duke i ndihmuar familjet në nevojë me pako ushqimore, u dakorduam që në kuadër të pakove ushqimore që do t’i shpërndajmë të futen edhe produktet vendore të qumështit (qumësht, djathë dhe gjizë). Kështu ne duke ndihmuar familjet në nevojë duke iu dërguar produkte të tilla të nevojshme ne ndihmojmë edhe fermerët e po ashtu dhe bizneset vendore në këtë kohë pandemie”, është shprehur kryetari Jashari.

Jashari tha se fermerët duhet të ndihmohen dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që produktet e tyre të hudhen në plehra.

“Në këtë kohë pandemie, me një dobësim të madh të bizneseve e ekonomisë sonë, apeloj tek të gjithë qytetarët që të konsumojnë produkte vendore sepse kështu ne tregojmë patriotizëm ekonomik dhe fuqizojmë shtetin tonë”, thuhet tutje nga  kryetari Jashari.