Coronavirusi - KALLXO

Masat për coronavirusin: Agjencia Kadastrale pezullon punët me palë

Për shkak të pesë rasteve të konfirmuara me rezultate pozitive me coronavirus dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës, Agjencia Kadastrale ka marrë vendim që të anuloj të gjitha punët me palë.

Kështu ka njoftuar Agjencia me anë të një njoftimi të tyre.

“Për shkak të situatës së krijuar nga përhapja e virusit Covid19 dhe në përputhje me vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Agjencia Kadastrale e Kosovës pezullon punët me palë në një afat të pacaktuar, respektivisht deri në një vendim tjetër”, ka njoftuar Agjencia Kadastrale.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se deri më sot janë testuar mbi 200 mostra të personave të cilët dyshoheshin se janë infektuar me virusin corona.

Nga të gjithë këto analiza pesë persona kanë rezultuar të infektuar me coronavirus.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur dy netë më parë ka marrë një sër vendimesh për parandalimin e përhapjes së coronavirus.