Situata në Ukrainë, Konjufca: Serbia u rreshtua në anën e Putinit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Lidhur me situatën me luftën Rusi-Ukrainë, gjatë këtij takimi Konjufca u shpreh që Kosova qëndron përkrah botës demokratike, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

“Kosova qëndron përkrah BE-së, NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe mbarë botës demokratike, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Ai theksoi se Kosova është partner i besueshëm i BE-së, teksa Serbia u rreshtua në anën e Putinit dhe me të njëjtën retorikë luftënxitëse vazhdon ta kërcënojë Kosovën”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka vlerësuar bashkëpunimin dypalësh dhe kontributin e Bashkimit Evropian për progresin e arritur në implementimin e reformave legjislative të cilat i kontribuojnë procesit integrues dhe perspektives euroatlantike të vendit.

Ndërsa, Shefi i Zyrës së BE-së, Ambasadori Szunyog ka shprehur mirënjohje për frymën bashkëpunuese dhe ndarjen e vlerave të përbashkëta, si dhe konfirmoi mbështetjen për punën e Kuvendit dhe agjendën evropiane të Kosovës, thuhet në komunikatë.

Glauk Konjuca dhe Tomas Szunyog. Foto: Kuvendi i Kosovës

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me qëndrimin e Serbisë për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se Qeveria e Kosovës është tej mase e shqetësuar me zhvillimet në konfliktin e Ukrainës.

Në një konferencë për media, Bislimi dje ka thënë se në të njëjtën kohë e përcjellin me brengë faktin “se jo të gjithë në Evropë, menjëherë i janë bashkëngjitur vlerave perëndimore në dënim të agresionit rus, kjo vlen si për Bjellorusinë ashtu edhe për fqinjin tonë Serbinë”.

Sipas tij, është shqetësues qëndrimi i Serbisë, duke shtuar se Serbia është “shtet me potencial të vazhdueshëm destabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë të hënën se shefat e Grupeve Parlamentare do të koordinohen për krijimin e një rezolute që ka të bëjë me situatën e krijuar pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë.

Kusari-Lila tha se kjo rezolutë do të kërkojë nga mekanizmat e BE-së që të bëhet dallimi mes shteteve që u rreshtuan pro BE dhe NATO-s dhe vendet që refuzuan të bëjnë një gjë të tillë, duke përmendur Serbinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pati thënë se nuk është koha për të vendosur sanksione ndaj Rusisë duke shtuar se i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës.